Accessibility links

Breaking News

Pikëpamja e qeverisë së SHBA

"Një armëpushim i qëndrueshëm mund të përshpejtojë përpjekjet për të rikthyer shërbimet bazë, duke përfshirë energjinë elektrike, ujin dhe shërbimet sanitare, duke sjellë lehtësim shumë të nevojshëm për civilët palestinezë", tha ambasadorja Thomas-Greenfield.

Ndërsa luftimet vazhdojnë në të gjithë Rripin e Gazës, “situata mbetet katastrofike për civilët”, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ekziston një nevojë urgjente për arritjen e një armëpushimi, lirimin e pengjeve dhe rritjen e dergesava të ndihmave humanitare për banorët në Rripin e Gazës.

“Asnjë zonë nuk është e sigurt në Gaza, megjithatë civilët vazhdojnë të urdhërohen të evakuohen në zona të ndryshme brenda saj", tha Rosemary DiCarlo, nënsekretare e përgjithshme për çështjet politike dhe ndërtimin e paqes. Dhjetë muaj pas fillimit të luftës, kërcënimi për një përshkallëzim të saj rajonal është "më i mundshëm dhe më rrëqethës se kurrë më parë”.

“Siç theksoi Presidenti Biden në një deklaratë javën e kaluar me udhëheqësit e Katarit dhe Egjiptit, nuk ka më kohë për të humbur dhe as justifikime nga asnjëra palë për vonesa të mëtejshme. Është koha për të liruar pengjet, për të filluar zbatimin e armëpushimit dhe kësaj marrëveshjeje”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

“Një armëpushim i qëndrueshëm mund të përshpejtojë përpjekjet për të rikthyer shërbimet bazë, duke përfshirë energjinë elektrike, ujin dhe shërbimet sanitare, duke sjellë lehtësim shumë të nevojshëm për civilët palestinezë, shumë prej të cilëve janë zhvendosur disa herë. Kjo mund të mundësojë një fushatë vaksinimi të nevojshme për të frenuar përhapjen e poliomielitit. Dhe kjo do të lehtësonte kushtet për lirimin e të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi”.

Një armëpushim në Gaza mund të ndihmojë gjithashtu të mundësojë përpjekjet diplomatike për ulur tensionet në rajon.

“Që nga fillimi i këtij konflikti mes Hamasit dhe Izraelit, Shtetet e Bashkuara kanë punuar për të shmangur shndërrimin e luftimeve në Rripin e Gazës në një konflikt më të gjerë rajonal", tha ambasadorja Thomas-Greenfield. “Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me Izraelin dhe partnerët tanë në rajon për të zmbrapsur sulmin e pashembullt të Iranit ndaj Izraelit dhe për të shmangur një konflikt më të gjerë.”

“Tani, ne jemi sërish në prag të një rritje tjetër kërcënimi.”

“Rrjedhimisht, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm paraprak, duke përfshirë lëvizjen e një aeroplanmbajtëseje dhe mjeteve ajrore shtesë në rajon, në mënyrë që, nëse do të jetë e nevojshme përsëri, ne të jemi të përgatitur për mbrojtur Izraelin dhe personelin ushtarak të Shteteve të Bashkuara në rajon nga çdo kërcënim.”

“Dislokimet tona të mjeteve ushtarake shtesë nuk janë një paralajmërim mbi atë që do të ndodh. Një konflikt më i gjerë rajonal nuk është i pashmangshëm”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.

“Qëllimi i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara mbetet për të ulur tensionet në rajon, për të frenuar dhe për t’u mbrojtur nga çdo sulm i mundshëm dhe për të shmangur konfliktin rajonal. Kjo fillon me finalizimin e një marrëveshjeje për një armëpushim të menjëhershëm, që përfshin lirimin e pengjeve në Gazë. Duhet ta kalojmë vijën përfundimtare për ta arritur këtë.”

"Arritja e një armëpushimi do të çonte në lirimin e pengjeve, ofrimin e një mundësie për të ndërtuar një paqe më të qëndrueshme për Gazën, perspektiva të tjera më gjerësisht në drejtim të uljes së tensioneve, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë", tha Sekretari Blinken.

Shtetet e Bashkuara po punojnë në mënyrë intensive për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme. Konflikti i 10 muajve të fundit filloi pasi grupi terrorist i Hamasit i mbështetur nga Irani sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng më shumë se 240 të tjerë. Operacionet pasuese ushtarake të Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës kanë shkaktuar vdekjen e mijëra palestinezëve, si dhe vuajtje të jashtëzakonshme nga zhvendosja e civilëve dhe mungesa e ushqimit.

Ditët e fundit, tensionet janë rritur edhe më shumë midis Izraelit dhe organizatave të mbështetura nga Irani në rajon, duke përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe grupint Huthi, pas vrasjes nga Izraeli të një komandanti të Hezbollahut në Bejrut dhe udhëheqësit të Hamasit në Teheran.

Në një konferencë për shtypin, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara "kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët në rajon dhe më gjerë."

"Në ato biseda, ne kemi dëgjuar një konsensus të qartë: askush nuk duhet të përshkallëzojë këtë konflikt."

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në diplomaci intensive me aleatët dhe partnerët “duke komunikuar atë mesazh direkt me Iranin. Ne kemi dërguar këtë mesazh drejtpërdrejt tek Izraeli.”

“Angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit është i hekurt. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë Izraelin kundër sulmeve nga grupet terroriste apo mbështetësit e tyre, ashtu siç do të vazhdojmë të mbrojmë trupat tona. Por të gjithë në rajon duhet ta kuptojnë se sulmet e mëtejshme do të zvarrisnin konfliktin, paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë për të gjithë”, tha ai. “Është urgjente që të gjithë në rajon të bëjnë një vlerësim real të situatës, ta kuptojnë rrezikun e veprimeve të gabuara dhe të marrin vendime që do të ulnin tensionet, jo do t'i përkeqësojnë ato.

Mënyra më e mirë për ta bërë këtë, tha Sekretari i Shtetit Blinken, është që Izraeli dhe Hamasi të arrijnë një marrëveshje armëpushimi për konfliktin në Rripin e Gazës, korniza e së cilës u propozua për herë të parë nga Izraeli dhe u njoftua nga Presidenti Joe Biden dy muaj më parë.

“Ky është momenti vendimtar. Negociatat kanë arritur në fazën e tyre përfundimtare dhe ne besojmë fuqishëm se ato duhet të arrijnë në pikën e fundit shumë shpejt”, tha Sekretari Blinken.

"Dhe kjo," deklaroi sekretari Blinken, "përveç ndryshimit për njerëzit në Rripin e Gazës, lirimit të pengjeve, ofrimit të një mundësie për të ndërtuar një paqe më të qëndrueshme për Gazën, hap gjithashtu mundësi të tjera, perspektiva të tjera më gjerësisht në drejtim të uljes së tensioneve, përmirësimit të gjendjes së sigurisë dhe qëndrueshmërisë së vërtetë. Ne jemi të përqendruar në këto çështje.”

Load more

XS
SM
MD
LG