1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siemens Energy do të krijojë mijëra vende pune në botë

8 Korrik 2024

Siemens Energy do të zgjerojë biznesin e rrjetit të energjisë elektrike në vitet e ardhshme. Grupi i teknologjisë së energjisë do të investojë 1.2 miliardë euro dhe të krijojë rreth 10.000 vende pune në disa vende.

https://p.dw.com/p/4hmq8
Logoja e Siemens Energy
Fotografi: Karl F. Schöfmann/imageBROKER/picture alliance

Grupi i teknologjisë së energjisë Siemens Energy do të zgjerojë biznesin e tij të rrjetit të energjisë dhe të krijojë mijëra vende të reja pune në vitet e ardhshme. "Në 15 vitet e ardhshme, ne do të bëjmë investime në rrjetin e energjisë në mbarë botën, të barabarta me ato të 150 viteve të fundit," shpjegoi Tim Holt, anëtar i Bordit të Drejtorëve, përgjegjës për Sektorin e Grid Technologies.

"Ne duam të marrim pjesë në këtë bum dhe kjo është arsyeja pse ne po investojmë gjithsej 1.2 miliardë euro prej tani deri në vitin 2030 dhe do të krijojmë rreth 10.000 vende pune," vazhdoi Holt. Vende pune në Evropë do të krijohen në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në Austri, në Kroaci dhe në një masë më të vogël në Rumani.

Siemens Energy në Duisburg-Hochfeld
Siemens Energy në Duisburg-HochfeldFotografi: Karl F. Schöfmann/ imageBROKER/picture alliance

Infrastrukturë e vjetruar

Holt foli fillimisht për Financial Times (FT) për planet. "Ne e shohim këtë bum të madh që po vjen," i tha ai gazetës, duke iu referuar kërkesës në rritje për energji elektrike dhe infrastrukturës kryesisht të vjetëruar. "Tashmë ka filluar të rritet shpejtësia”, theksoi menaxheri. Sektori tashmë i ka më shumë se dyfishuar porositë e tij të viteve 2021 në 2023, duke arritur nga shtatë miliardë euro në pesëmbëdhjetë miliardë. Në gjysmën e parë të vitit 2024, u morën porosi në vlerë prej 12 miliardë eurosh.

Sipas FT, kompania shpreson që planet e zgjerimit të mund të realizohen në masë të madhe në dy vitet e ardhshme. Rreth 40% e vendeve të punës do të krijohen në Evropë, 20% në SHBA, 20% në Indi dhe pjesa tjetër në Azi dhe Amerikën Latine, sipas gazetës ekonomike britanike.

Kancelari Scholz te stenda e Siemensit në panairin e industrisë të Hanoverit 2024
Kancelari Scholz te stenda e Siemensit në panairin e industrisë të Hanoverit 2024Fotografi: Ronny Hartmann/AFP/Getty Images

Qarkullimi i Grid Technologies do të rritet ndjeshëm deri në vitin 2030. Divizioni raportoi të ardhura prej 7.2 miliardë euro në 2023. Holt i tha FT se divizioni duhet të gjenerojë "midis 18 miliardë euro dhe 20 miliardë euro të ardhura" në 2030.

Siemens Energy aktualisht po përfiton nga një rritje e ndjeshme e kërkesës në tregun e energjisë elektrike. Biznesi i rrjeteve, në veçanti, po rritet me shpejtësi.