Jump to content

Shqiptarët në Mal të Zi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shqiptarët në Mal të Zi
Albanci u Crnoj Gori
Ali Pashë Gucia Dedë Gjo Luli Mujo Ulqinaku Tringë Smajli
Enver Gjokaj Nokë Sinishtaj Afërdita Dreshaj Adrian Lulgjuraj
Popullsia e përgjithshme
30,439 shqiptarë
4.91% e popullsisë së Malit të Zi (censusi 2011)
32,671 folës amtarë të gjuhës shqipe
5.27% e popullsisë së Malit të Zi (censusi 2011)
Rajone me popullsi të konsiderueshme
Flamuri Mali i Zi
Komuna e Ulqinit14076
Komuna e Tuzit7831
Komuna e Tivarit2515
Komuna e Podgoricës1707
Komuna e Gucisë1642
Komuna e Rozhajës1158
Komuna e Plavës833
Komunat tjera677
Gjuhët
Shqip (dialekti gegë)  · Malazezisht
Fetë
Islami  · Katolicizmi

Shqiptarët janë pakica më e madhe jo-sllaveMal të Zi. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Mal të Zi është 30,439 banorë, që përfaqëson rreth 5% të popullsisë. Pakica shqiptare jeton kryesisht në pjesët juglindore dhe lindore të vendit, gjëgjësisht në komunat: Ulqin (71%), Plavë (19%), Tivar (6%), Podgoricë (5%) dhe Rozhajë (5%).[1]

Qyteti më i madh shqiptar në Mal të Zi është Ulqini, selia e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, institucionit më të lartë të vetë-qeverisjes së shqiptarëve në këtë vend.

Bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrimeve të popullsisë, të organizuara gjatë Mbretërisë Jugosllave, në vitin 1921 folës amtarë të gjuhës shqipe ishin 16,838 banorë (8.45% e popullsisë), ndërsa në vitin 1931 ishin 18,098 banorë (5,03%). Nga viti 1948 deri në vitin 2003, kur regjistrimet u organizuan nga RSF dhe RF Jugosllavia, u shtua dhe deklarimi i përkatësisë etnike.

Në vitin 1948 në Mal të Zi jetonin 19,425 shqiptarë (5.15% e popullsisë), 23,460 (5.58%) shqiptarë ishin në vitin 1953, 25,803 (5.47%) në vitin 1961, 35,671 (6.74%)  në vitin 1971, 37,735 (6.46%)  në vitin 1981, 40,415 (6,57%) në vitin 1991 dhe 31.163 (5.03%) në vitin 2003.[2] Në regjistrimin e fundit të organizuar nga Mali i Zi në vitin 2011 numri i shqiptarëve ishte 30,439 (ose 4,91% e popullsisë).

Shqiptarë në Cetinë, viti 1906.
Numri i shqiptarëve në Mal të Zi, nga viti 1900 deri 2011.

Shqiptarët në Mal të Zi janë popullsi autoktone. Pas zgjerimit territorial të Malit të Zi kah territoreve të banuara me shqiptarë në vitin 1878, shqiptarët për herë të parë bëhen shtetas të atij vendi. Shqiptarët që kanë marrë shtetësi malazeze kanë qenë myslimanë dhe katolikë, ndërsa kanë jetuar në qytet Tivar dhe Ulqin me rrethinat e tyre, në bregun e lumit Buna dhe të Liqenit të Shkodrës, si dhe në Triesh.[3]

Pas luftërave ballkanike, në përbërje të Malit të Zi kanë hyrë treva të reja të banuara me shqiptarë. Mali i Zi atëherë ka fituar një pjesë të Malësisë, gjëgjësisht Hotin dhe Grudën, me Tuzin si qendër, Anën e Malit, Plavën, Gucinë, Krajën, Rugovën, Pejën dhe Gjakovën. Në trevat e Plavës, Gucisë dhe Pejës, autoritetet vendore malazeze kanë kryer në muajt e parë të vitit 1913 krime të mëdha ndaj popullsisë shqiptare myslimane.[3]

Me krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, pas Luftës së Parë Botërore, shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë të diskriminuar dhe të privuar nga të drejtat e tyre. Pozita e shqiptarëve do të përmirësohet disi në Jugosllavinë e Titos. Në mesin e shekullit XX, në Mal të Zi kanë banaur rreth 20,000 shqiptarë, ndërsa numri i tyre do të rritet deri në fund të atij shekulli. Nga fundi i shekullit XX numri i shqiptarëve ka filluar të bie si pasojë e migrimeve.[3]

Shqiptarët në Mal të Zi is located in Earth
Shqiptarët në Mal të Zi (Earth)

Shqiptarët në Mal të Zi janë të përhapur në pjesët juglindore dhe lindore të vendit. Komuna e Ulqinit, e përbërë nga Ulqini me rrethinë dhe Ana Malit, është e vetmja komunë ku shqiptarët janë shumicë (71% e popullsisë). Shqiptarët janë shumicë edhe në Malësi (ku bën pjesë Trieshi, Hoti, Gruda dhe Koja), sot pjesë e territorit të Komunës urbane të Tuzit, njësi e Komunës së Podgoricës, e cila vazhdimisht kërkon që të fitoj statusin e komunës, por pa sukses.[4] Gjithashtu një numër të madh i shqiptarëve jeton në trevat: Plavë e Guci (Komuna e Plavës, 19%), Tivar e Krajë (Komuna e Tivarit, 6%) dhe Rozhajë (Komuna e Rozhajës, 5%).

Vendbanimi më i madh shqiptar është Ulqini, ndërsa pas vjen Tuzi.

Veshja kombtare shqiptare nga treva e Rozhajës.

Kulturalisht, shqiptarët në Mal të Zi janë të lidhur ngushtë me shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Flamuri i përbashkët, himni kombëtar, historia e përbashkët, këngët popullore, gjuha, etj. janë vetëm disa nga veçoritë që vërtetojnë lidhjen e ngushtë mes shqiptarëve në Mal të Zi dhe atyre në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Shqiptarët e Malit të Zi flasin dialektin gegëgjuhës shqipe, gjëgjësisht variantin veriperëndimor të tij, ndërsa sipas censusit 2011, në Mal të Zi jetojnë 32,671 folës amtarë të gjuhës shqipe (ose 5.27% e popullsisë).[1]

Sipas nenit 13 të Kushtetutës së Malit të Zi, gjuha shqipe (së bashku me gjuhët serbe, boshnjake dhe kroate) është gjuhë në përdorim zyrtar, e njohur zyrtarisht si gjuhë minoritare.[5]

Sipas përkatësisë fetare shqiptarët në Mal të Zi janë shumica myslimanë (73.13%), ndërsa pjesa tjtër janë katolikë (26.13%).[1] Megjithëse janë të ndarë në dy besime fetare rrallë herë ka pasur konkurrencë ose grindje ndërmjet shqiptarëve të Malit të Zi për këtë temë.

Shqiptarët myslimanë janë të përhapur në të gjithë territoret me popullsi shqiptare, kurse katolikët janë me shumë të përhapur në Malësi, në Shestan dhe në fshatrat afër lumit Buna. Shqiptarët e Ulqinit, Tivarit, Plavës dhe Rozhajës janë shumica myslimanë, ndërsa shqiptarët e Podgoricës, gjëgjësisht Malësisë, janë shumica katolikë.

Jeta fetare e shqiptarëve myslimanë organizohet nga Bashkësia Islame e Malit të Zi, e cila përfshinë të gjithë territorin e Malit të Zi, ku jo vetëm shqiptarët janë anëtarë, por edhe pakicat e tjera myslimane.[6] Shqiptarët katolikë i takojnë Kryedioqezës së Tivarit, e cila përfshinë të gjithë territorin e Malit të Zi, përceç Bokës së Kotorit, ku përveç shumicës së anëtarëve shqiptarë, përfshihet edhe një numër i vogël i sllavëve ortodoksë. Kryeipeshkvi aktual, Rrok Gjonlleshaj, është shqiptar etnik.[7]

Komuna Shqiptarë
Gjithësej Myslimanë Katolikë
Ulqin 14,076 12,313 1,704
Podgoricë 9,538 3,521 5,929
Tivar 2,515 2,451 46
Plavë 2,475 2,344 108
Rozhajë 1,158 1,157 1

Qeveria e Malit të Zi mundëson arsimimin në gjuhën shqipe në shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa nga viti 2004 ekziston dhe dega e mësuesië në gjuhën shqipe në Universitetin e Malit të Zi.[3]

Arsimi fillor në gjuhën shqipe realizohet në 12 shkolla fillore: nga 4 në Ulqin e Tuz, 2 në Plavë e nga 1 në Tivar e Rozhajë. Arsimi i mesëm në gjuhën shqipe realizohet në Gjimnazin e Tuzit, Shkollën e mesme të kombinuar "Beqo Bashiq" në Plavë dhe Shkollën e mesme të kombinuar "Vëllazërim-bashkim" në Ulqin, si dhe në gjimnazin privat "Drita" në Ulqin".[8]

Ekonomia e zonave të banuara me shqiptarë është pasive përveç zonës së Ulqinit e cila ka burim kryesor turizmin. Si pasojë e ngërçit ekonomik të zonave të banuara me shqiptarë, por edhe e shumicës së territorit të Malit të Zi, emigrimi vjen si mundësia e vetme për një jetë më të mirë. Mendohet se në SHBA jetojnë më shumë shqiptarë me origjinë nga Malësia sesa në vetë Malësi.[9]

Megjithatë, në vitet 2011–2012, shqiptarët janë ende një nga pakicat më problematike në Mal të Zi: problemi më serioz në zonat e shqiptarëve mbetet papunësia e lartë (edhe në vendbanimet në afërsi të kryeqytetit, siç është Tuzi), e cila vjen si pasojë e diskriminimit në tregun e punës, veçanërisht në sektorin publik, ku vetëm 2.8% janë shqiptarë.[7]

Shqiptarët në Mal të Zi nuk janë mirë të organizuar politikisht, ndërmjet tyre ekziston një përçarje e madhe politike, që e tregon numri i madh i partive nacionale shqiptare.[10] Partia e parë politike e krijuar nga shqiptarët e këtij vendi është Lidhja Demokratike në Mal të Zi, e krijuar nga Mehmet Bardhi në vitin 1990.

Shumica e shqiptarëve mbështesin integrimin e vendit në BE dhe kanë pikëpamje anti-jugosllave: gjatë referendumit të vitit 2006 në Komunën e Ulqinit, ku shqiptarët në atë kohë përbënin mbi 72% të popullsisë, 88.50% e votuesve votuan për pavarësinë e Malit të Zi. Në përgjithësi, ishte zëri i pakicës shqiptare që i dha vendit shkëputjen nga Jugosllavia.[7]

Nga viti 2008 vepron dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, institucionit më të lartë të vetë-qeverisjes së shqiptarëve në këtë vend. Kryetari aktual i KKSH-ës është Genci Nimanbegu.

Shqiptarë të famshëm nga Mali i Zi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ a b c Stanovništvo Crne Gore prema polu, tipu naselja, nacionalnoj, odnosno etničkoj pripadnosti, vjeroispovijesti i maternjem jeziku po opštinama u Crnoj Gorimonstat.org
  2. ^ Popisi stanovništva u Crnoj Gori (nacionalna pripadnost) Arkivuar 13 maj 2011 tek Wayback Machine – madeinmontenegro.com
  3. ^ a b c d Istorijski Leksikon Crne Gore, Grup autorësh, Daily press: Podgoricë, 2006 ISBN 86-7706-169-X
  4. ^ Partitë Shqiptare Kërkojnë Referendum për Komunën e Tuzitgazetajnk.com
  5. ^ KUSHETUTA E MALIT TË ZI Arkivuar 5 mars 2016 tek Wayback Machine – minmanj.gov.me
  6. ^ Bieber, Florian (2003). Montenegro in Transition – Problems of Identity and Statehood. Baden-Baden, Germany: Nomos Verlagsgesellschaft. ISBN 978-3-8329-0072-4. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ a b c The Minority Report: Jobless Ethnic Albanians “Let Down by the State” :: Balkan Insight
  8. ^ DRUGI  IZVJEŠTAJ CRNE GORE O SPROVOĐENJU EVROPSKE POVELJE O REGIONALNIM I MANJINSKIM JEZICIMA Arkivuar 31 janar 2017 tek Wayback Machine – mmp.gov.me
  9. ^ Plava dhe Ulqini prinë për nga numri i popullsisë jashta venditmalesia.org
  10. ^ Partitë shqiptare përçanë elektoratinmalesia.org