Muzeu i Luvrit
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Muzeu i Luvrit (Musée du Louvre, shqiptimi /muze dy luvʁ/) gjendet në Paris, Francë. Ai është një nga muzetë më të mëdha dhe më të famshëm të botës dhe renditet gjithashtu i dyti për nga numri i vizitorëve.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 8 nëntor 1793, pas më shumë se dy shekujsh si Pallat Mbretëror, Luvri hapet si një muze publik në Paris nga Qeveria Revolucionare franceze. Sot, koleksioni i Luvrit është një nga më të pasurit në botë, me vepra arti që përfaqësojnë 11.000 vjet të qytetërimit dhe kulturës njerëzore.
Pallati i Luvrit u fillua nga Mbreti Francis I në vitin 1546 në anë të një fortese të shekullit të 12-të e ndërtuar nga Mbreti Filip II. Francis ishte një koleksionist i madh arti, dhe Luvri do të shërbente si rezidenca e tij mbretërore. Vepra, e cila u mbikqyr nga arkitekti Pierre Lescot, vazhdoi pas vdekjes së Francis dhe gjatë mbretërimit të Mbretit Henry II dhe Charles IX. Pothuaj të gjithë pasuesit e monarkisë franceze zgjeruan Luvrin dhe më shumë vepra u shtuan nga Louis XIII dhe Louis XIV në shekullin e 17-të. Të dy këta mbretër gjithashtu shtuan koleksionin e kurorave mbretërore dhe Louis XIV siguroi koleksionin e artit të Charles I të Anglisë pas ekzekutimit të tij në Luftën Civile të Anglisë. Në vitin 1682, Louis XIV e transferoi pallatin e tij mbretëror në Versajë, dhe Luvri nuk ishte më rezidenca kryesore mbretërore. Në frymën e Iluminizmit francez, shumë francezë filluan të kërkonin për ekspozimin publik të koleksionit mbretëror. Denis Didero, shkrimtari dhe filozofi francez, ishte ndër të parët që propozoi një muze arti kombëtar për publikun. Megjithëse, Mbreti Louis XV përkohësisht ekspozoi pjesë të zgjedhura të pikturave në Pallatin e Luksemburgut, në vitin 1750, ishte Revolucioni Francez, i vitit 1789, që solli progres të vërtetë me krijimin e një muzeu të përhershëm. Më 8 nëntor 1793, qeveria revolucionare hapi Musée Central des Arts në Galerinë e Madhe të Luvrit.
Koleksioni i Luvrit u pasurua shpejt. Ushtritë franceze morën vepra arti dhe arkeologjike nga territoret dhe vendet e pushtuara, gjatë luftrave Revolucionare dhe të Napoleonit. Pas humbjes së Napoleonit, në vitin 1815, shumë nga këto vepra arti të grabitura u rikthyen. Por koleksioni i antikiteteve egjiptiane të Luvrit dhe departamente të tjera i detyrohen pushtimeve të Napoleonit. Dy krahët e rinj të godinës u shtuan në shekullin XIX dhe godina e Luvrit u përfundua në vitin 1857, gjatë sundimit të Napoleonit III.
Në vitet ’80 dhe ’90, Luvri i Madh, siç njihet zyrtarisht muzeu, pësoi një rimodelim të rëndësishëm. U shtuan pajisjet moderne të muzeut dhe u hapën mijëra metra katrorë hapësira të reja ekspozimi. Arkitekti kinezo-amerikan I.M. Pei ndërtoi një piramidë prej çeliku dhe xhami në qendër të oborrit të Napoleonit. Në vitin 1993, në 200 vjetorin e muzeut, një krah i rindërtuar më parë, i okupuar nga Ministria e Financës franceze, u hap për publikun. Ishte hera e parë që i gjithë Luvri u përkushtua për qëllime muzeale.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Wikimedia Commons ka materiale multimediale në lidhje me: Musée du Louvre. |
48°51′37″N 2°20′15″E / 48.860339°N 2.337599°E
Ky artikull është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |