Lugina e Valbonës
Parku Kombëtar Lugina e Valbonës | |
---|---|
IUCN kategoria II (park kombëtar) | |
Koordinatat | 42°27′12.6000″N 19°53′28.6800″E / 42.453500000°N 19.891300000°E |
Identifikuesi | 101424 |
Shteti | Shqipëria |
Qarku | Kukësi |
Rrethi | Tropoja |
Qyteti i afërt | Bajram curri |
Sipërfaqja | 8,000 ha |
Krijimi | 15 janar 1996 |
Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” ka një sipërfaqe prej 8000 ha dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Ndodhet 25–30 km në veri-perëndim të qytetit të Bajram Currit, Rrethin e Tropojës. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte dhe të papritura.
Hyrje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Gjeografi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Natyra e këtij parku është e pasur me varitete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër, me reshje të dendura shiu e bore, me temperatura të ulëta dhe periudhë të gjatë me ngrica dhe erëra. Nga Mbaskollat deri në Shoshan është e mbrojtur në mënyrë natyrore, ndaj temperatura mesatare në Dragobi është 10,7 gradë: e janarit 0,3 gradë dhe ajo e korrikut 20,4 gradë. Reshjet në Valbonë i kalojnë 2082 milimetra, ndërsa lartësia maksimale e dëborës shkon deri në 224 centimetra me mesatare 94 centimetra. Burimet e saj gjenden në rrëzë të shpatit lindor e qafës me të njëjtin emër, ku ushqehet me burime karstike në lartësinë 1450 m. Nën ujëvarën e pragut të Valbonës, ujërat e këtyre burimeve zhduken nën zhavorre deri në hyrje të Rragamit. Nga ky fshat deri në atë të Valbonës (Selimaj) është 7 kilometra. Sipërfaqja e ujit mungon gjatë verës për shkak të natyrës karstike. Në sektorin e poshtëm, ndanë kalimit në pellgun e Tropojës, Valbona merr degët e rëndësishme, që janë lumi i Gashit (në Shoshan) dhe atë të Bushtricës (Bujan), që e pasurojnë atë më tej. Prurja në Dragobi dhe Gri është respektivisht 12.2 m kub në sek dhe 33.3 metra kub në sekondë. Prurjet maksimale janë në maj dhe lidhen me shkrirjen e borës, kurse prurjet minimale janë 3.7 metra kub në sekondë dhe 11 metra kub në sekondë. Prurjet janë më të mëdha në vjeshtë.
Tokat e murrme pyjore shtrihen mes lartësive 500-1200 metra; tokat e kadifenjta shtrihen në shpatin e majtë të kësaj lugine nga Mbaskollata dhe deri në Shoshan në lartësinë 400-900 metra.
Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Transporti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për të shkuar në Valbonë duhet të udhëtohet rreth 6 orë nga Tirana. Pjesa dërrmuese e rrugës është aksi Tiranë-Bajram Curri, ku çdo turist ka mundësinë të shijojë një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit. Pamjet fantastike të shpateve malorë që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit janë të paharrueshme. Fshatrat e vegjël në të dyja anët e liqenit dhe kullat e vetmuara prej guri, banorët e të cilave lidhen me njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet varkave të vogla, janë një tjetër dekor interesant i udhëtimit. Përrenjtë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malorë. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigande të hidrocentraleve në kas-kadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat 2 orë e 10 minuta. Me ndërtimin e Autostradës “Rruga e Kombit” e cila vazhdon edhe në Kosovë me emrin Autostrada “Ibarahim Rugova”, ka shkurtuar distancën nga Tirana në Luginën e Valbonës, pasi mund të shkohet edhe nëpërmjet rrugës Gajkovë –Tropojë-Bajram Curri.
Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës shkohet me çdo lloj mjeti, si edhe me furgon. Valbona ndodhet 25 kilometra larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë udhëtimi kalon nëpërmjet një luginë të ngushtë, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ahe bredh. Rruga është e asfaltuar dhe e kalueshme për çdo lloj mjeti. Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit i lënë vendin njëra-tjetrës për tu zëvendësuar nga gryka e ngushtë me shpate të thepisura e Klisyrës. Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, me kulla guri 100 e 200 vjeçare. Pothuajse në mes të fshatit, në krahun e majtë të rrjedhës së Valbonës ndodhet një ujëvarë disa dhjetra metra e lartë që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi, mes pyllit të dendur ndodhet shpella e Bajram Currit. Gjatë gjithë udhëtimit të shoqërojnë gjithnjë ujërat e kthjellëta të Valbonës që burojnë nga shkrirja e borës në masivin malorë të Alpeve. Një tjetër vend për tu ndalur është dhe Quku i Dunishës. Një pikë për t'u shplodhur është një bar-hotel alpin, i ndërtuar tërësisht prej druri nga vëllezërit Metalia.
Turizmi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Klima e luginës është mjaft e freskët dhe i nxeht i verës nuk egziston fare. Fshati Valbonë është gati 1000 metra mbi nivelin e detit dhe shtrihet në një zallishte të krijuar prej lumit Valbona. Aktualisht fshati Valbonë ka afro 30 shtëpi, kryesisht kulla të vjetra dy dhe trekatëshe me mure të trashë guri e çati karakteristike alpine me dërrasa druri. Në kullat karakteristike të tërheqin vëmendjen dritaret shumë të vogla dhe frëngjitë e ndërtuara në çdo drejtim për tu mbrojtur. Në qëndër të fshatit ndodhet një lokal që shërben në natyrë kryesisht, mish të pjekur në hell dhe meze e bylmet të zonës. Pranë lokalit është në ndërtim e sipër një basen i vogël për rritjen e troftës pikaloshe të Valbonës. Në Valbonë nuk ka hotel të mirfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët. Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Nëpërmjet bllokut të lartë malor të Jezercës në veri, Zhaborreve dhe Grykave të Hapta në Jug, formohet një govatë tipike akullnajore. Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës e Rrethit të Bardhë shikon borë të përhershme dhe ngjitja në to, do të ishte një sfidë për çdo alpinist profesionist. Ujëvara e Rragamit që ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, sipër Valbonës, është një tjetër mrekulli e natyrës alpine që nuk duhet lënë pa vizituar. Valbona gjatë 4-5 muajëve të dimrit është krejtësisht e izoluar nga bora kështu që në këtë kohë është e pamundur të vizitohet.[1]
Rreziku nga HEC-et
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dhënia e konçesioneve për 14 HEC-e, ku 8 nga HEC-et janë planifikuar brenda Parkut Kombëtar dhe dy kanë filluar tashmë shkatërrimin e parkut, megjithëse ligji për zonat e mbrojtura ndalon çdo lloj ndërtimi industrial brenda parqeve kombëtare. HEC-et do të shkatërrojnë në mënyrë të pakthyeshme shumëllojshmërinë biologjike të parkut dhe do të zhdukin përgjithmonë faunën ujore.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Galeria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]-
Valbona
-
Lugina e Valbones, Tropoje
-
Gryka e Valbonës
-
Kanjoni i Lumit Valbona
-
Rragami fshat në Luginën e Valbonës
-
Lugina e lumit Valbona
Burimi i të dhënave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- http://www.docstoc.com, Projektet e Produktit Turistik në Rajonin Turistik të Bjeshkëve të Nemuna ( Alpet Shqiptare) Prishtinë 2008.
- Bërxholli dhe Xh Lleshi, Gjeografia 12, rojet Shqiptare, Uegen, Tiranë 2009.
- Musa Gashi Dr. Bazat e turizmit, EMMKSK Prishtinë 1986.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 30 nëntor 2013. Marrë më 5 janar 2014.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Shqipërisë është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |