Njësia administrative Shkrel
42°11′N 19°19′E / 42.18°N 19.32°E
Njësia administrative Shkrel |
---|
Komuna Shkrel është një komunë në Shqipëri.[1]
Vendbanimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Komuna Shkrel |
---|
Dedaj · Bogë · Bzhetë · Bzhetë-Makaj · Lohë e Sipërme · Vrith · Vuç-Kurtaj · Zagorë · Qafë-Gradë · Reç · Repisht · Kokpapaj |
redaktoni kutinë |
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në Veri të qytetit të Shkodrës, në rrezen të Alpeve të Shqipërisë, në dy anët e Prronit te Thatë, e shtrënguar në mes Bogës nga Veriu, Koplikut, Reçit dhe Lohes nga Jugu, nga nga Lindja me Dukagjinin dhe nga Perëndimi me Bajzën e Kastratit, shtrihet lugina e Shkrelit me një gjatësi rreth 20 km, e veshur prej malesh me formacione gëlqerore, mbi të cilat janë të vendosura historikisht fshatra që zgjaten përreth. Klima relativisht e butë e me bimësi mjaft të zhvilluar, shpellat e shumta, burimet me ujë të bollshëm veçanërisht gjatë dimrit, njerëzit bujarë e punëtorë, e bëjnë një vend mjaft atraktiv dhe shumë interesant për t'u vizituar. Aktualisht krahina (jo komunës) e Shkrelit përbëhet nga këto fshatra : Vrithi, Bzheta, Zagora, Dedaj, dhe mehallët : Grishaj, Vuç-Kurtaj, Sterkuj, Çekëdedaj, Preknicaj, Xhaj, Makaj Ducaj etj. Këto jane mehallë relativisht të vogla dhe kryesisht të bazuara ndër vllazni. Të gjitha sëbashku, simbas statistikës më të fundit të tetorit të vitit 1997, Shkreli ka 8O9 shtëpi me 3557 banorë, nga të cilët l823 janë meshkuj 1734 femra. Ekonomia bazohet kryesisht mbi blegtorinë, kultivimin patates si dhe të misrit. Kurse nga frutikultura dallohet rrushi etj. Shkreli shënon një nivel të mesëm ekonomik në krahasim me zonat e tjera malore të Shqipërisë. Nepër Shkrel kalojnë dy rrugë të rëndësishme turistike: njëra për në Theth dhe tjetra për në Razëm, rrugë të cilat nga ana tjeter e lidhin këtë krahinë me fshatrat e tjera të Malësisë se Madhe dhe Shkodrën.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- "Në studimet që kam bërë, për të mësuar diçka përmbi fisin e Shkrelit dhe shkrelasit, kam pasur po aq pak sukses sa Hahni dhe Hecquardi"
─ (Franc Baron Nopcsa).
Sipas antropologëve dhe historianëve shqiptarë e të huaj më seriozë, si At Zef Valentini etj., fisi i Shkrelit dhe shkrelasit thonë të kene ardhë si blegtorë nomadë prej viseve të epërme të Ballkanit, çka do të thotë prej Bosnje ose krahinës së Sanxhakut të Novi Pazarit, në krahinën mesjetare që quhej Pulat (Pult) që më vonë u quajt Malcí. Mirëpo ky pohim i At Valentinit dhe i të tjereve, kurrsesi nuk do të thotë, siç mendojnë disa, se, shkrelasit dhe fiset tjera të Malësisë se Madhe si: Hoti, Kelmendi, Kastrati, Gruda etj., të cilët janë të ardhur nga ana veriore e rrethit të Bosnjes në shekujt XI dhe XII, kanë prejardhje sllave dhe se me ardhjen e tyre në këto treva u shqiptarizuan. Duhet ditur se në këto treva nga erdhën Shkrelasit si dhe fiset e tjera të Malcís së Madhe jetonte fisi Ilir i Dalmatëve. Teoritë e prejardhjes së Malcorve prej Dalmacis janë një hipotezë e vobekët. Megjithatë, fjala delme, e cila rrjedhë prej emrit Dalmacia, ose i ka dhënë emrin Dalmacis, përdoret vetëm në Malcí të Madhe. Gegët dhe toskët e quajnë atë dele. At Zef Valentini ka shkruar më shumë për gojdhënat. Por fakti se gjuha e malcorve, përfshi Shkrelin është e ndryshme prej gegnishtes, mund të tregoj se malcort kanë një origjinë të vetme. Megjithatë, puna komplikohet sepse në disa aspekte malcishtja i përngjan toskërishtes. Vejmë re, Toskërisht dhe Malcisht = grua, muaj, përrua, u pat ndërtua. Gegnisht grue, muej, përrue, u pat ndërtue. Vetëm me ardhjen e sllavëve në këto vise, formimin e shtetit në kohen e Stefan Nemanjës (1166-1196) dhe për shkak të torturave të egra e keqtrajtimeve, kjo popullatë autoktone, e cila nuk desh kurrsesi t'i nënshtrohej okupuesit e të asimilohej, u detyrua të shpërngulet nga tokat e plleshme të trungut ilir. Ngulimi në trojet e tanishme, pothuajse të shkreta për të mbijetuar me mjetet e asaj kohe, duket se i kushtoi mjaft dhe se shënoi fillimin e një mënyre të re jetese e mbijetese. Po sipas At Valentinit, në librin e tij "Il Diritto delle Communita" mësohet se prej fisit të Shkrelit të ketë rrjedhur dhe fisi "Kthella", "Dedajt" e Pukës, "Ukëthi", "Lëvrushku" e "Shëngjini" i Fanit. Nga ana tjetër kemi edhe dëshmi gojore që mbështesin variantin e At Valentinit. Kështu thuhet se kur Shkreli erdhi në vendbanimin e ri, gjeti aty një popullatë autoktone të quajtura "anas". "Anasit" qenë të përbërë:
- 1. Xhaj në Xhaj
- 2. Vukaj ose Vukelaj në Preknicaj
- 3. Kolajt në Zagorë
- 4. Baushi ose Kapllajt në Dedaj
- 5. Luizi në Grykën e Lugjeve
- 6. Tuçajt të cilët jetojnë në Leskovec.
Po simbas gojëdhënës, i pari i shkrelasve të ardhur në këto troje ishte Lek Shkreli, i cili pati katër djem: Vrithin, Dedën, Buzhetën dhe Zogun, prej emrave të të cilëve kanë ardhur dhe katër fshatrat të mëdha të Shkrelit: Vrrithi, Dedajt, Bzheta dhe Zagora. Vrithit, duke qenë djali i parë i Lekës, i takoi t'i printe këtyre vllaznive, duke mbajtur e trashëguar brez pas brezi institutin e bajrakut dhe bajraktarit, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit. Deda, djali i dytë i Lekës, pati tre djem: Çek Dedën, Pap Dedën dhe Vulet Deden, të cilët u hapën shumë. Buzheta, djali i tretë, gjithashtu ka pasur tre djem: Preknicin, Ducin e Prekducin. Ndërsa i katërti, Zogu, pati vetëm dy djem: Andrean dhe Jusufin (i cili, siç merret vesh dhe nga emri, u islamizua). Prej emrave të nipërve të Lekës kanë marrë emërtimet dhe mjaft mehallë të Shkrelit. Të gjithë keto emra u shtuan a u pakësuan në vite e shekuj duke qenë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve të kohës dhe ngjarjeve historike. Etnografi i shquar shqiptar, Rrok Zojzi, thotë në lidhje me prejardhjen e fiseve të Malësise së Madhe,: "Se këto fise janë me të vertetë të ardhuna, e dëshmon jeta e tyre nomade, që kalonin deri para dy-tre shekujsh, traditat krejt të veçanta etnografike nga dy grupet e tjera të Veriut, legjendat e shumta mbi prejardhjen e tyne, lidhjet toponomastike dhe onomastike me bazen e vjetër etj." dhe vazhdon "këto fise, ka gjasë se zbriten këtu ndër shekujt e parë të mijëvjeçarit tonë". Përgjithësisht e kurdoherë, vizitorë e studiues të huaj e vendas, që patën rastin të ndeshen me këtë fis, mbetën gjithnjë të impresionuar prej virtyteve, krenarisë, urtisë dhe besës. Kështu baroni Nopsca shprehet: "Banorët e Shkrelit janë të dashur e pa të keq, ato janë të qeshur, mikpritës dhe ruajnë mjaft mirë kodin e nderit", ndërsa udhetarija angleze Miss Edith Durham, më rastin e vizitës së saj edhe në Shkrel, diten e festës së kësaj famullie, Shën Nikollit, me 9 maj 1908, ndër të tjera shkruan: "Shkrelasit janë shumë të dashur, pa të keqe, janë të qeshur, mikpritës dhe e ruajnë ligjin e nderit" etj.
Gjatë kohës së sundimit otoman
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Të dhënat historike që na vijne prej tre burimesh kryesore: literatures së huaj, studimeve vendëse dhe dëshmive gojore kanë plot gjëra të përbashkëta në mes tyre. Këtu po përmendim ato më kryesoret: -Më 1614 shkrelasit bashkë me Hot, Kelmend e fise të tjera të Malësisë rrokin armët për të kundërshtuar me forcë gjunjëzimin ndaj robërisë turke. -Më 1621 shkrelasit nuk munguan të jenë një forcë e konsiderueshme në kryengritjen gjithëpopullore të organizuar nga Ipeshkëvi i Sapës, Imzot Pjetër Budi. -Po kështu më 1645 u gjetën përkrah kelmendasve dhe së bashku dëbuan prej këtyre trojeve ushtritë turke për të gëzuar një autonomi deri në vitet 1700. -Në vitet 1803 deri 1817, kohë kur pllakos sëmundja e madhe e murtajës në Shkodër me rrethina, në Shkrel kemi viktimën e parë, njeriun fort të rëndësishëm të tij, ndertuesin e Kishës së Shkrelit, Dom Jak Tanushin - Zorba. -Më 1814 janë shkrelasit ata që organizojnë luftën hakmarrëse kundra Mustafa Pashë Bushatliut në Shkodër, sepse ishte Mustafa Pasha që për xhelozi vrau vezirin e porsazgjedhur të Shkodres, shkrelasin Tomë (Ahmet) Luc Maloten. Tomë Luca, i cili, ishte islamizuar në vitet l775-178O qe derguar nga qeverija turke të bëjë arsimimin plotësues në Stamboll. Kur u kthye si vezir, duke menduar se do të bëjë shumë për fenë islame, si njeri mjaft i zgjuar që ishte mendoi se sëpaku shkrelasit e vet do t` tërhiqte kah vehtja.Faktet tregojnë se nuk ia arriti të ndikojë as në vllazërin e vet Malotaj e jo më tek të tjerët. Në këtë mënyrë përfundoi jeten në rrugë shumë të paqartë. Shkrelasit duke marrë për bazë ligjet kanunore u organizuan për t`i marrë gjakun dhe në pamundesi t`ia dalin në krye Pashes, në shenjë hakëmarrjeje vranë djalin e tij nëntëmbëdhjet vjeçar në fshatin Kakarriq afer Bushatit. Thohët se Zefi i Vogël ( Zef Gjergji) trim i njohur në Kosovë për luftrat kundër turkut është i treti brez nga trungu i përbashkt i Ahmet Luces vezirit të Shkodres. -Po kështu kryengritjet fshatare kundër turqve që kryesoheshin prej Osman Pashës, u udhehoqen nga një shkrelas famëmadh, Dasho Shkreli, gjate viteve 1834-1835. Ky udheheqës i shquar popullor kryesoi luftrat e panderprera kundëer pushtuesve turq dhe shovinisteve malazezë, derisa me 1840, në luften e kalasë së Shpuzës vritet së bashku me vëllanë e tij, Sefon. -Shkrelasit me zanen e forcës, që sipas gojdhanave gjendej në Lug të Vrithit, mundën të ndërhynin edhe aty ku problemi ishte larg trojeve të veta. Keshtu, sic dihet nga historia, qeverija osmane shpesh herë bajraqet e fiseve i përdori për t´i shpypur kryengritjet breda vendit, duke krijuar armiqësi e luftra vëllavrasëse. E njejta gjë ndodhi më l845 kunder kryengritësve të Malësisë së Gjakovës, kur u derguan bajrakët e Malësisë se Madhe. Ishte bajraku i Shkrelit ai që ndërhyri për të shmangur e për t´ i ndalur vëllavrasjet. -Në vitin 1871 ishin shkrelasit ata që u dolën zot katolikëve të Shkodrës, në më tepër se 250 vetë, meqënëse turqit kishin mbyllur pazarin gjatë periudhës nga 19 deri më 25 gusht të atij viti. .-Në këtë kontekst historik Shkreli dërgoi përfaqesuesin e vet në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, bajraktarin Marash Dashi së bashku me krerët e Malësisë së Madhe. Në këtë kuvend Bajraktari i Shkrelit tregoi edhe një herë urtinë dhe oratorinë tipike malësore, me shprehjet lapidare dhe simbolikën tradicionale. Në këtë kuvend kombëtar, veç tjerash ata shkuan edhe për të kundërshtuar vendimet e Kongresit famëkeq të Berlinit. -Më 19 prill 1880 bajraktarët e fiseve të Malësise së Madhe, perfshirë këtu bajraktarin e Shkrelit nenshkruajnë nje peticion kundër synimeve malazeze për te zaptuar tokat e bregut lindor të liqenit të Shkodres dhe ia dërgojnë ate Ministrisë së Jashtmë të Anglisë. Nje permbajtje të ngjashme pati edhe peticioni tjeter i dërguar nga këto burra më 1883. -Gjatë vitit 1883 midis Shkrelit, Hotit, Grudës dhe Kastratit u bë lidhja e burrave për të penguar pazarllëqet e komisioneve ndërkombëtare me Malin e Zi në ndarjen e tokave shqiptare -Ëshë fort i rëndësishëm kontributi i madh që dhanë shkrelasit në kohën e kryengritjës së Malësisë së Madhe, kur Porta e Lartë e Stambollit në vitin 1910 dërgon kryegjaksorin, Turgut Pashën, për të përdhunuar Dukagjinin dhe Malësin e Madhe, së bashku me Bedri Pashën , valiun e Shkodres. Sic thotë historiani dhe njohësi i shquar i historisë së shqiptare, gjermani Petër Bartl: "Malesoret e Shkrelit u bashkuan edhe me bajraqet e Shalës, Shoshit dhe Nikaj-Mërturit për t'i bërë ballë këtij sulmi të ri.". Në këtë menyrë, të bashkuar tashmë edhe me malësitë e tjera ata u përgatitën për të zhvilluar beteja me të vertëtë të ashpra. -Në këtë kohë Nikollë Mirash Luca i Kastratit, me vojvoden Gjelosh Gjeken u përpoqen të shestonin kryengritjen dhe shkuan në Dedaj të Shkrelit, në shtëpi të Zef Mirashit, ku lidhen besen dhe prej këtej dolën në Bzhetë te Tomë Nika, me djemtë e të cilit vrapuan për në Reç, Lohe dhe Bogë. Prej kësaj u zhvillua një betejë në Përrua të Thatë, ku prej atij zjarri u derdh gjaku i shumë trimave. E gjithë kjo qe një përgaditje shpirtërore dhe atdhetare për Kryengritjen e përgjithshme të 6 prillit 1911. -Me 24 mars 1911 Turgut Pasha shpalli tradhtarët e Malësisë së Madhe, në mesin e të cileve edhe komandantin e djelmisë Tomë Nikë Shkrelin, i cili ishte protagonisti kryesor bashkë më Nikollë Mirash Lucen dhe Gjelosh Gjoken, vojvoden e Kastratit, që kishte luftuar për t´ i kundershtuar heroikisht Turgut Pashes dhe synimeve të tij për ta djegur Malësinë, duke ia filluar nga Shkreli e deri në majen e Deçiqit. Këtë datë na e pershkruan në kujtimet e tij historike Imzot Nikollë Ashta, famullitar i Shkrelit, kur shkruan: "Me 24 Marc 1911 disa të Hot, të Grudë e të Kelmend, kund nja 14 vetë, sulmojn postat e ushtarëve, të cillve u marrin disa armë. Bashkë me shokë që u erdhën në ndihmë, jo vec pushtue te tana postat e mbyten shumë ushtarë, por ia duelen edhe me i rrethe të gjithë në Tuz e me i ngujue në kështjellin e Shipshanikut". -Më 6 prill 1911 shkrelasit, të udhehequr nga Marash Dashi, u gjenden perkrah hotjanit legjendar Ded Gjo Luli, në momentin kulmor të kesaj historie të përgjakshme: kur Nikë Gjelosh Luli së bashku me Gjon Ujk Miculin dhe Pjeter Zefin, duke çuar në vend fjalen e Ded Gjo Lulit, ngritën flamurin kombetar, kahmot të pritur, në Bratilë të majesë së Deçiçit. Në këtë veprim luftarak morën pjesë edhe Gjeto Dashi, Sokol Dashi, Tomë Nika etj. -Më 4 maj të po këtij viti, malësorët të lidhur besa-besë, nder ta dhe shkrelasit, i ranë ushtrisë turke e cila ishte duke u s'prapsur për në Deçiq e në Shipshanik duke lënë çdo gjë pas vetes. Malësorët zaptuan një sasi të kunsiderushme të armatimit, që do ishte mjaft i rendesishëm për betejat e përgjakshme, por të sukseshme që u zhvilluan më vonë. -Pas deshtimit te kryengritjes së Malesisë së Madhe, nisi hakmarrja e forcave të Turgut Pashës ndaj malësoreve shëiptarë. Ai i printe një ushtrie prej 80.000 ushtarësh dhe i shtërngoi malësoret të sprapseshin, por gjithmonë duke luftuar e duke i shkaktuar dëme te medha kesaj ushtrie. Kështu, me 25 maj pas një qendrese te shkurtër që bëri nje çetë me rreth 5O burrash ne suken e Sterkujës, ushtria turke u fut në Shkrel e i dha zjarrin Zagorës e Dedajve. Me pas ushtria hyri në të gjithë bajraqet ku dogj e poq e rrënoi gjithcka. Plackiti kishët dhe qelat e famullive dhe shkatërroi e mori gjithcka gjeti. Kishës dhe qelës së Shkrelit ushtarët e Turgutit i lanë vetëm katër muret, thyen dyer e dritare, plackitën të gjitha orenditë. Kumbonën, pasi e gjuajten më pushkë, e hodhen prej kumbonares. Grisën dhe dogjen aktet kishtare e regjistrat e famullisë. -Ndërkaq, Tomë Nika (1847-1911), ndera e Shkrelit, për asnjë çast nuk u ndalua për t´ ia ndalur hovin armikut shekullor deri diten e 2 gushtit 1911, ditë kur duke shpetuar djalin e vet të plagosur, Zefin , trimin e rrallë Prelë Prekën e Vrithit dhe trimat të tjerë në Fushën e Moksetit në Kastrat, u plagos rëndë dhe pas dy javësh vdiq. -Por jo vetëm me pushkë. Duhet theksuar se edhe një delegacion atdhetar i burrave të Shkrelit muren pjesë në Kuvendin e Gerçes (bjeshkë midis Triepshit-Bekajt dhe Selcës) të mbajtur me 10-23 qershor 1911, ku u nënshkrua një Memorandum (Libri i kuq) me 12 parashtrime që i perkisnin kuadrit kombetar te levizjes mbareshqiptare për autonomi të Shqipërisë. Në këtë kuvend morën pjesë përveç bajraktarit Vat Marashi, edhe Tomë Nika e Martin Preka prej Shkreli. -Në këtë kohë si pasojë e përfundimit të kryengritjes së Malësisë së Madhe prej mosangazhimit të forcave të tjera shqipëtare, nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, kemi dhe largimin e shumë përsonave nga fiset e tjera te Malësisë dhe disa përsonave prej Shkreli si dhe dezertimin e disa të tjereve nga ushtria turke.
Shkrelasit të cilët mbeten si refugjatë në Podgoricë pas betejës së Deçiçit janë:
- l. Prekë Gjeka
- 2. Zef Keçi
- 3. Dodë Leka
- 4. Zef Luca
- 5. Gjekë Curri
- 6. Voc Marashi
- 7. Fran Luca
- 8. Lukë Marashi
- 9. Preç Curri
- l0. Nikollë Voc
- 11. Dod Gjoni
Kurse ata të cilët dezertuan nga ushtria turke në Podgoricë ishin:
- l. Nikollë Sokoli
- 2. Zef Toma
- 3. Kolë Toma
- 4. Gjon Zefi
- 5. Gjelosh Martini
- 6. Zef Ujka
- 7. Prelë Marashi
- 8. Ndoc Martini
- 9. Lekë Martini
- 10. Mark Zefi
- 11. Dedë Syla
- 12. Ujkë Nika
- 13. Zef Mali
- 14.Gjon Martini
- 15. Gjokë Deda
- 16. Kolë Deda
- 17. Pjetër Lushi
- 18. Pal Marku
- 19. Tomë Prela
Mbas kësaj kohe kemi memorandumin drejtuar Fuqive të Mëdha miratuar me 9 shkurt 1912 në Podgoricë nga krerët e Malësisë, për të ndërhyrë pranë qeverisë xhonturke në lidhje me premtimet e bëra me 1911-tën, ku ndër të tjera:
- a - Hapjen e shkollave fillore në Shllak, Shosh, Shkrel, Kelmend etj.
- b - Ndërtimin e rrugëve nëpër territorin e Malësisë së Madhe.
Shkreli në periudhën e pavarësisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Po kaq i rëndësishëm në historinë kulturore të kësaj krahine është dhe rasti i nënshkrimit të Memorandumit dërguar Kryesisë së Konferencës së Paqes në Paris më 2 korrik 1919, vit në të cilin luhej sërish me fatet jetike të Shqipërisë. Ky memorandum i hartuar kundër copëtimit të trojeve shqiptare u nënshkrua jo vetëm nga Arqipeshkvi i Shkodrës Jak Serreqi, ipeshkëvi i Sapës Gjergj Koleci, ipeshkëv i Pultit At Benardin Shllaku, Dom Zef Gjonali administrator i abacies së Mirditës, Dom Nikollë Kimëza delegat epishkopal i Lezhes, por dhe nga famullitarët e famullive që u përkasin këtyre dioqezeve, bajraktaret e fisëve dhe shumë kryefamiljarë, ku nder të tjerë të bie në sy emri i bajraktarit të Shkrelit Vatë Marashi, famullitarit të Shkrelit, Dom Frano Karma dhe të 106 kryefamiljarëve shkrelas. -Më 12 shkurt 1920 ushtria jugosllave pushtoi malin strategjik te Taraboshit dhe shtriu pushtetin në gjithë krahinen e bregut të djathtë të Bunës dhe Liqenit të Shkodrës, deri te ura e Bunes duke ardhur fare prane qytetit. Ndërkaq, me 11 mars 1920, u bë fakt bashkimi i Shkodres me rrethe për t'i rezistuar serish armikut të vjetër. Ne javet e fundit të muajit korrik tre batalione serbo-malazeze të paisur me armë speciale franceze, topa dhe mitroloza, kapercyen kufirin dhe pushtuan Kastratin e Shkrelin dhe moren rrugën për në Shkodër. Vullnetarët e Shkodrës me në krye Ahmet Zogun, ministrin e brendshëm të kabinetit të Lushnjës, hartuan planin e marshimit në tri drejtime, një prej të cilave ishte kah Kopliku. Më 21 gusht forcat e reja, të ardhura nga Mali i Zi, u futen në Kelmend dhe Koplik. Ndërsa me 14 shtator, pas përleshjeve të Koplikut, ku morën pjesë edhe trimat e Shkrelit me në krye Vat Marashin, dhe pas ndërhyrjeve politike të Fuqive të Mëdha, ushtria jugosllave u largua nga Kastrati, Shkreli etj., duke zbrazur tokat shqiptare deri në kufirin e 1913-ës. Ato lanë pas shumë mizori dhe gjakun e dhjetëra dëshmorëve shqiptar.
Shkreli gjatë regjimit komunist
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas marrjes së pushtetit nga forcat komuniste me 1944, për Shkrelin, si një nga zonat më atdhetare, liridashëse e fetare, nisi një epokë e vërtetë zije, e ideuar prej "Antishqiptareve","Te pafeve" e "Të kuqve". Ishin pikërisht njerëzit e Shkrelit ata që të parët nuk mund ta duronin dhunën dhe, të mësuar për të kryengritë, dhanë shenjat më të dukshme përmes aksioneve te fillimvitit 1945.
-Në janar të vitit 1945 plasi kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe ndoshta në gjithë Evropën Lindore, e kryesuar prej burrave të Bajzës dhe të Shkrelit për të penguar hyrjen e forcave partizane në këto zona. Komandanti i kësaj kryengritjeje ishte Llesh Marashi nga Zagora, ushtarak i karrierës me bashkepunetore Pjeter Gjoken, bajraktar i Shkrelit, Nikollë Prekë Gjeka - Dedaj, kryetar i komunës së Shkrelit, Luket Marashin prej Grishajve, Gjergj Kolë Lucën Purashi prej Vrrithi, Zef Tomë Çeken nga Çekdedaj si dhe Gjon Martin Lulen Ivanaj nga Bajza me Mirot Palokën Ivanaj, gjithashtu nga Bajza. Udheheqesit e kryengritjes u mblodhen në Poicë, në shtëpinë e Nikollë Zefit, ku organizuan kuvendin dhe përcaktuan planin e luftës. Pas dërgimit të korrierëve, Gjokë Palokë Vruçajt dhe Rrok Nikë Vukelajt për kushtrim nder fshtra të ndryshme të Shkrelit e deri në Bogë, kumbones së kishës, me bekimin e famullitarit Don Nikollë Gazulli, i ra Kolë Nikë Prela Marçinaj nga Çekdedaj. Mbas këtyre kushtrimeve, rreth 100 burra të Shkrelit u mblodhen të armatosur në Stol të Zagores afër Grishajve, ku u bë mobilizimi në shtëpinë e Zef Nikë Colajt. Mbledhja përfundimtare u mbajt në Grishaj në shtëpinë e Luket Marashit. Detyrat luftarake u dhanë prej komandantit Llesh Marashi. Kështu lufta kunder forcave komuniste i çoi kryengritesit deri te Kisha e Bajzës, ku thuhet se djali i Shkrelit togeri Zef Tomë Ceka, vritet ballëpërballë me komunistin Jonuz Naçin Aliaj. Po aty, pas një plage të rëndë, vdiq edhe bajzjani Lulash Cuku Curanaj. Me çlirimin e Bajzës kryengritja zgjerohet me trima të Kastratit dhe Hotit, dhe të gjithë së bashku u drejtuan për kah Shkodra, ku mendohej të hynin edhe forcat nga Postriba, të udhëhequra nga Jup Kazazi. Beteja për Shkodren u bë në urë të Rrjollit, ku malësorët u gjendën të vetmuar dhe pa mbështetjen e parashikuar. Në këtë betejë nga malësorët ranë: Gjon Martini dhe Mirot Paloka si dhe u plagosën mjaft të tjerë. Gjatë kësaj trazire, të Kisha e Shkrelit u vra edhe Mark Tomë Gjeloshi nga Makajt.
Pas deshtimit të kryengritjes, për malësorët pjesmarrës dhe familjet e tyre filloi kalvari i vërtetë. Arrestimet, pushkatimet, keqtrajtimet dhe torturat në hetuesi u bënë të përditshme në krahinë të Shkrelit.
Lista e tyre sipas fshatrave kishte me qenë kjo :
DEDAJ
- 1. Mark Sokol Sokolaj (20 vjet burg, djegur shtëpia)
- 2. Gjok Kola (pushkatuar në ushtri pas mobolizimit të dhunshëm)
- 3. Mirash Gjon Sokolaj (pushkatuar)
- 4. Pjeter Kole Sokolaj (pushkatuar)
- 5. Nikollë Prel Gjeka (pushkatuar)
- 6. Gjekë Mark Sokoli (burgosur)
- 7. Marash Kolë Sokoli (burgosur)
- 8. Kolë Tomë Stakaj (burgosur, djegur shtëpia)
ZAGORA
- l. Lukët Marashi (pushkatuar)
- 2. Dan Coli (ushkatuar)
- 3. Prekë Leka (pushkatuar)
- 4. Pashko Leka (pushkatuar)
- 5. Rexhë Mehmeti (vdekur në burg)
- 6. Lesh Marashi ( varur në Shkoder, djegur shtëpia)
- 7. Fran Pjetri i nipi i Leshit (pushkatuar)
- 8. Vatë Gjelosh Marvukaj (pushkatuar në arratisje në Mamuras)
- 9. Ndue Gjelosh Marvukaj (pushkatuar në arratisje në Mamuras)
- 10.Rrok Kanto Marashi (10 vjet burg)
- 11. Ndrek Pjetër Zef Çulaj (pushkatuar)
- 12. Kolë Nikë Colaj (10 vjet burg)
- 13. Mark Gjokë Leknikaj (vdekur në burg)
- 14. Brahim Xhagji Vuçaj (burgosur)
- 15. Sadri Zekë Leknikaj (burgosur)
- 16. Dylë Çerimi (burgosur)
VRITHI
- 1. Pjetër Gjoka Milaj (101 burg)
- 2. Mirash Gjoka Lugaj (arratisur, vdekur në Mal të Zi)
- 3. Martin Frani Popaj (pushkatuar në arratisje)
- 4. Nikollë Kola (pushkatuar në arratisje)
- 5. Kolë Tomë Deda (pushkatuar)
- 6. Gjokë Deda Milaj (vdekur në internim, djegur shtëpia)
- 7. Preç Pjetër Vulaj (vdekur prej torturave)
- 8. Gjergj Kolë Lucë Purashi (burgosur)
- 9. Fran Çul Kroni (20 vjet burg)
- 10. Prekë Gjergj Dedë Milaj (l0 vjet burg)
- 11.Pjetër Prekë Pacaj (burgosur, djegur shtëpia)
- 12.Gjeto Prekë Ramaj (burgosur)
- 13.Luk Maç Tuçaj (burgosur)
ÇEKDEDAJ
- 1.Kolë Nikë Marçinaj (25 vjet burg)
- 2.Tomë Fran Brrakaj (burgosur)
- 3.Prelë Vatë Malotaj (burgosur)
- 4.Gjokë Zef Çekaj (l5 vjet burg)
- 5. Marash Zef Çekaj (l0 vjet burg)
- 6. Lulash Palokë Vruçaj (burgosur)
- 7.Gjelosh Nikë Vukelaj (5 vjet burg)
- 8.Zef Muran Luca (25 vjet burg)
- 9.Fran Zef Kolë Gjieli (25 vjet burg)
- 10.Pashko Vat Malota (burgosur, djegur shtëpia)
BZHET - MAKAJ - XHAJ
- l. Gjeto Lekë Mirukaj Xhaj (25 vjet burg)
- 2. Mark Tomë Gjeloshaj Makaj (pushkatuar)
- 3. Prel Tomë Gjeloshaj (20 vjet burg)
- 4. Gjon Lekë Mirukaj Xhaj (20 vjet burg, vdes nga torturat në burg)
- 5. Pjetër Lekë Mirukaj Xhaj (20 vjet burg)
- 6. Prelë Tomë Makaj (101 vjet burg)
- 7.Tereze Prekë Xhajaj ( turturua në mënyer çnjerzore)
Ka pasur edhe shumë e shumë të tjerë, të cilët kanë vujtur pa masë për të njëjtin shkak.
Kjo valë masakrash nuk kurseu as famullitarin e zones, albanologun e shquar, Dom Nikollë Gazullin, i cili ishte padyshim një prej frymëzuesve kryesorë të luftës kunder asaj që po ndodhte e do të ndodhte në Shqipëri. Në këto rrethana ai i perndjekur këmba këmbës, u detyra të strehohëj ndër male, atje "ku e ka lirimin ama", me shpresë se do vinte shpejt dita kur do kthehej serish ne famulli, pranë popullit të vet. Së bashku me Dom Nikollë Gazullin u gjenden dhe meshtari gjerman Don Alfons Tracki, atdhetari Gjelosh Luli, oficer, Gjon Vata, oficer nga Dukagjini, Pal Thani, oficer nga Plani dhe Idriz Jaza, oficer nga Vlora. Ata fillimisht u strehuan në Razëm, në kasollën e Lukë Maçit Tuçi, në vendin e quajtur Luizi, ku qendruan me shume se tre muaj. Gjatë kesaj kohe ata gëzuan dashurine e popullit të Shkrelit, që i ushqente dhe i kryente ne ilegalitet të plotë të gjitha shërbimet. Nder ia vlen te përmenden Gjokë Zef Cekaj, Pjetër Prekë Pacaj, Kolë Gjokë Dedë Elezi dhe Mirash Kolë Turmalaj. Pas rënies në gjurmë të sigurimit të shtetit dhe daljes nga rrethimi u detyruan të ikin ne shpellën e Brataçit-Qafa e Bilanit (qe bashkon Bzhetën me Vrithin), ku qendruan afro dy muaj dhe si më parë kishin pranë fisnikët e Shkrelit, që vazhdonin t'i ushqenin, si bie fjala Gjeto Leka nga Xhaji. Por meqenëse veshtirësitë u shtuan dhe kontrolli i sigurimit u bë gjithnjë e më i rreptë grupi u nda. Dom Nikollë Gazulli u vendos në Qafë Kashtë (ku bashkohet Vrithi me Çekdedajt). Rrok Pjeter Malotaj nga Çekdedaj, Lulë Gjon Çekaj dhe Maruke Zef Keqi nga Vrithi u bënë bamirsat e rinj të famullitarit. Në prill të atij viti filloi bastisja shtëpi për shtëpi nga ana e sigurimit për zbulimin e Nikollë Gazullit, i cili më në fund, në muajn prill të vitit 1946 u gjet i vdekur në Rrencë-Suka e Vrithit. Ishin Zoi Themeli, kryetar i deges se puneve te brendshme te Shkodrës, dhe toger Baba i Koplikut, që urdhëruan të varrosej bri zallit, buzë rruges qendrore në Sterkujë. Kështu agonia e shkrelasve vazhdoj deri në rënjen përfundimtare të komunizmit, gjatë viteve l989-1990, kur këta shkrepa të mprehta filluan përseri të tregojnë krenarinë e vet shekullore.
Historia e kishës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Padyshim që historia e kësaj krahine është e lidhur ngushtë me historinë e kishës, kjo gjithashtu e bën atë edhe një histori kulture përpos se një histori luftërash të përgjakshme.
E para dëshmi e shkruar për ekzistencën e kishës shenjte, si objekt ne këtë krahinë, vjen prej albanologut të shquar austro-hungarez Franc Baron Nopsca, i cili, në një dorëshkrim të vetin, na tregon sesi një farë Mal Pepa nga Shkreli diku rreth vitit 1625, duke ndertuar shtëpinë e vet në Prelë Ivanaj, pas malit te Bulecit, gjen atje një kishë. Natyrisht rrenojat e gjetura të kësaj Kishë prej Mal Pepës tregojnë se kohë më parë kjo kishë paska pa qenë e ndërtuar. Ajo kishë e sipërpërmendur ka mundur të jetë sipas traditës, në vendin e quajtur "Glec", ku prej kohësh flitet për një kishë të vjetër, kushtuar Shëna Prenës. Për të njëjtën gjë flet edhe i dërguari i Selisë Shenjte në Shqipëri, Shtjefen Gaspri në vitin 1671. Ai ndër të tjera thotë se Shkreli ka Kishen e vet kushtuar Shëna Prenës dhe se, kujdesin për këtë Kishë e ka prifti i Rrjollit, At Klementi nga Brindisi. Që të ketë ekzistuar edhe më heret Kisha katolike ne Shkrel dëshmon edhe Frano Bardhi në relacionin e vet dërguar Selisë Shenjte në vitin 1635, ku ndër të tjera thotë se Shkreli ka pasur kishën e vet kushtuar Shën Nikollës dhe ka shërbyer për 56 shtëpi dhe 520 banorë. Po kështu ka dokumente se kisha të vogëla e të vjetëra, ka pasur edhe në Gerben, Serkuj, Zagorë, në mahallen e Kolajve, ku sot janë vorrezat dhe në Zhaje, te Brija e Fierkuqe dhe në Ducaj, ku ekziston edhe sot e kësaj dite. Burimet për dy kishat e hershme Shëna Prenës e Shën Kollit mund të komentohen mbi faktin se, krahina e Shkrelit ka pasur dhe ka dy festa kushtuar këtyre dy shenjtëve.
Sa i takon të dhënës tjetër mbi ndërtimin e një Kishe më 1775 prej Dom Jak Tanushit (Zorbës), duhet të themi se këtu bëhet fjalë për ndërtimin e kishës mbi themelet e së rrenuarës, pikerisht në vendin ku ndodhet kisha e sotme.
Po në këto vite kisha e Shkrelit duhet të ketë fituar dhe atributet e famullisë. Gjer në atë kohë të gjitha shenimet famullitare mbaheshin prej kishës së Rrjollit. Prej kësaj kohe e kendej kisha e Shkrelit është bërë gjthnjë e më tepër një vend i shenjtëruar procesionesh, lutjesh e qendër kulture.
I pari famullitar qe njihet deri më sot duket se ka qenë Dom Simon Berisha, i cili e ka filluar ketë detyrë më 1847 dhe ka ndërtuar katin e parë të qelës së sotme, e cila kishte pas qenë djegur vite më parë. Prej këtij viti e deri më 1850, ndër dokumentacione të kishës përdorej gjuha italiane, më pas vihet re një kthim në gjuhën e moçme të kishës, në atë latine, që bëhet prej Dom Mati Pasterpati, ndihmës famullitar i Shkrelit..
Rregjistri i kishës dhe i famullisë së Shkrelit mbetet sot e kësaj dite si një ndër burimet më serioze e më të besueshme sa i takon referimeve historike. Ai është një dokument i pazëvendësueshëm. Në të mund të gjenden lista e tokëve të kishës, vendimet e marrura me rastet e vizitave baritore, sic është ai i Imzot Topich etj. Rregjistri ka dy revizjone. I pari i bërë me 21 qershor 1841 prej Imzot Luigjit, Ipeshkëv i Shkodres dhe administrator apostolik i Pultit, dhe i dyti më 6 qershor 1848 prej Fr.Gjoni Topich, Ipeshkëv e administrator apostolik i Shkodrës. Ky i fundit bën edhe vërejtjen për ndjekjen me besnikëri të formulës së përshkruar prej ritualit roman. Kisha e sotme e Shkrelit u riparua e restauruar sërish me 1900 prej Imzot Nikollë Ashtës, i cili i shtoi edhe një kat qelës ekzistuese. Kurse më 1929, Imzot Lazer Mjeda, arqipeshkev i Shkodres, realizoi dhe disa riparime themelore e të rëndësishme. Këtu më poshtë po shënojme rendin kronologjik të famullitareve dhe ndihmës famullitarëve të Shkrelit prej vitit 1847 e deri më sot:
Data e fillimit - Emri - Vendlindja - Data e mbarimit ? D. Simon Berisha ? 16.2.1847 18.2.1847 D. Gasper Bytyci ? 12.2.1849 ? D. Zef Asti (Nd) ? 21.4.1848 ? D. Pjeter Porati (Nd) Triepsh 12.2.1849 21.2.1849 D, Ndue Shllaku Shkoder 8.2.1850 23.2.1849 D. Pashk Klari (Nd) ? 15.2.1850 11.2.1850 D. Jak Dedaj ? 14.3.1851 24.2.1850 D. Mati Pasterpati (Nd) Barbullush 7.6.1851 6.3.1851 D. Ndue Sheldia ? 25.2.1852 25.2.1852 D. Gjergj Kabashi ? 15.2.1853 25.2.1852 D. Mark Shilani (Nd) ? 15.1.1853 15.2.1853 D. Mark Shilani ? 8.2.1857 5.6.1853 D. Ndue Shllaku (Nd) Shkoder 19.2.1854 19.2.1854 D. Zef Kiri (Nd) ? 24.2.1857 17.2.1857 D. Ndue Shllaku Shkoder 14.2.1858 24.2.1857 D. Mati Radovani (Nd) Shirokë 31.1.1858 27.2.1858 D. Gjon Spathari ? 15.8.1858 16.3.1858 D. Ndue Shllaku (Nd) Shkoder 15.8.1858 15.8.1858 D, Ndue Shllaku Shkoder 17.2.1862 23.5.1859 D. Pjeter Purati (Nd) Triepsh 14.7.1859 18,2.1862 D. Zef Shestani ? 2.4.1866 ? D. Mati Begu (Nd) Shkoder ? 27.4.1866 D. Agostin Barbullushi Shkoder 8.1.1874 27.9.1870 D. Pjeter Ivanaj (Nd) Kastrat 14.1.1874 8.1.1874 D. Tomë Volaj Shiroka 10.3.1875 10.3.1875 D. Mëhill Negri Shkoder 6.2.1877 18,2,1876 D. Mark Klari (Nd) Shkoder 16.2.1878 20.2.1877 D. Mati Radovani Shirokë 16.2.1878 16.2.1878 D. Mark Klari Shkoder ? ? Imz. Ndoc Bozhi Shkoder ? ? D. Mark Kumrija (Klari) Shkoder ? ? D. Pjeter Ivanaj Kastrat ? ? 1892 D. Ndoc Nikaj Shkoder ? 1893 ? 1893 D. Nikollë Radovani Shirokë 2.1895 ? 1894 D. Nikollë Ashta (Nd) Shkoder 2.1895 2.1895 Imz. Nikollë Ashta Shkoder 2.1915 12.3.1895 D. Pjeter Tusha(Nd) Shirokë 1898 ? 1903 Imz. Luigj Bumci (Nd) Shkoder 1903 2.1915 D. Fran Karma (Dekan) Shkoder 28.4.1925 28.4.1925 D. Lekë Sirdani Bogë 12.4.1926 7.1925 D. Kolec Prennushi (Nd) Shkoder 9.1925 12.4.1926 D. Ndre Zadeja Shkoder 12.4.1934 12.4.1934 D. Gjergj Volaj Shiroke ? 1940 ? 1940 D. Nikollë Gazulli Dajç - Zadrim ? l946 ? 1946 D. Pjetër Çuni ? ? 1947 ? ? At Florijan Berisha (përkosisht) ? ? ? ? ? At Anton Luli (përkosiaht) Lohje ? ? 21.12.1949 D. Ciril Cani ? 8.7.1952 16.8.1952 D. Pjetër Gruda Grudë -Mali i Zi 27.11.1959 25.11.1959 D. Ndoc Volaj Shirokë 9.04.1967
Këtu përfundon lista e prifterinjve të kësaj famullije për arësye të mbylljes së kishës nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Pas rihapjes se kishës vargu i meshtarëve vazhdon kështu:
? 1992. D. Millorad Defar Bosnja Hecegovina 11.IV. 1996. 11.IV. 1996 D. Nikë Ukgjini Kosova
Kjo kishë, siç shihet edhe nga lista e sipërme, ka dëgjuar fjalet e urta të këtyre meshtarëve të ditur dhe, ndoshta edhe për këtë arësye ka qenë historikisht e sulmuar. Por po aq sa ka qenë e sulmuar, aq ka qenë edhe e mbrojtur prej banorëve bujarë të Shkrelit. Dy herë u dogj dhe një herë u mbyll kjo shtëpi e Zotit gjate historisë së re. Më së pari prej hordhive të Shefqet Turgut Pashës me 25 maj të 1911, së dyti gjatë trazirave të luftës ballkanike prej serbo-malazezeve dhe u mbyll prej vetë "shqiptarëve të kuq e të pa fe" më 1967.
E fundit meshë e asaj kohe ishte ajo e dhëne prej Dom Ndoc Volajt, ditën e larit të vitit 1967. Më pas ajo mbyllet dhe keqpërdoret për të kryer funksione banale si magazinë, mencë, dyqan e të tjera gjëra të kësaj natyre. Por e gjithë kjo orgji mëkatare merrej vesh se s'e kish të gjatë. Me fillimin e proceseve demokratike në gjithë Evropen Lindore edhe ne Shqipëri në vitet 1990-1991 rifilloi procesi i shenjte shumëshekullor për popullin shqiptar, si dhe për vetë popullin e Shkrelit. Mesha e parë mbas 24 vjetësh diktature u dha prej At Konrad Gjolajt, më 24.11.1990, menjëherë pas meshës së parë dhënë në Shkodër, ende ndën terrin e diktaturës prej Dom Simon Jubanit. Kjo meshë u mbajt me iniciativën e vetë shkrelasve që u kujdesuan së tepërmi për këtë rifillim. Në oborrin e kishës e në praninë e një numri jashtëzakonisht të madh njerëzish që me vullnet dhe dëshirë të pashoqe dëshëronin të iu rikthenin besimit në Zotin Jezu Krisht, u dëgjua edhe njëherë fjala e Tij.
Ishte pikërisht ky popull që i kishte dhënë Kishës Shenjte ndër mote meshtarë të dalluar si Don Pjeter Shkrelin, Dom Zef Shkrelin, Dom Zef Gilaj-Shkreli, At Konrad Gjolaj, At Zef Pllumin etj.
Mbas kësaj ngjarje të shënuar, me ndihmën e të gjithëve, përfshirë këtu dhe vëllezërit në SHBA, nisi puna për rindërtimin e kishës, e cila në pjesën më te madhe përfundoi më 9 maj 1992. Më 24 prill 1996 me ardhjen e famullitarit të ri Dom Nikë Ukgjimi dhe me ndihmën e pakursyer të njerëzve të Shkrelit, në kishë u benë sërish riparime të dukshme, dhe më pas edhe kompanjeli i ri, financimin e të cilit e bëri një bir i dalluar i Shkrelit prej SHBA-së, z.Vat Mark Shkreli dhe kambanës së re, të financuar nga shkrelasi Ndoc Gjekë Shkreli. Kësaj kishe tashmë iu këthye bukuria dhe lavdia e kahëmotshme. Në anen tjetër edhe pjesa tjetër e shkrelasve, të cilët mjerisht u islamizuan në shekujt 18 - 19, patën kujdes për objektin e kultit fetar. Kështu në Zagorë, ndërtuan xhaminë e parë, rreth viteve l860, siç pohon plaku tetëdhjetvjeçar zagorasi Bajram Ymer Zeka dhe që shton se shkrelasit, gjithherë kanë marrë pjesë së bashku si në ndërtimin e xhamisë, si dhe në atë të kishës. Po të njëjtën gjë rrëfen edhe plaku tjetër njëqindvjeçari Brahim Haxhija. Shkrelasit kultivuan atë çfarë trashëguan.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Shoqata e komunave". Arkivuar nga origjinali më 15 mars 2012. Marrë më 8 nëntor 2011.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Shqipërisë është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |
- Gabime CS1: Mungon parametri i gjuhës
- Articles using infobox templates with no data rows
- Pages using infobox settlement with unknown parameters
- Pages using infobox settlement with missing country
- Pages using infobox settlement with no map
- Pages using infobox settlement with no settlement type
- AL-gjeo-cung