Dinastia Shang
Dinastia Shang është nje dinasti e hershme kineze.
Kjo dinasti u themelua në vitin 1600 para erës së re dhe u përmbys në vitin 1027 para erës së re. Ajo lëvizi shumë herë kryeqytetin e saj dhe më fund e vendosi atë në Yin, afër qytetit An-yang të sotëm të provincës Hunan. Nga arritjet e gërmimeve dhe studimeve arkeologjike del se, qysh në vitet e para të dinastisë Shang, civilizimi kinez kishte arritur një nivel të konsiderueshëm dhe karakterizohej kryesisht nga shkrimet në guaska të breshkave dhe nga enët prej bronzi.
Shkrimet në guaska të breshkave u zbuluan rastësisht. Në fillim të shekullit të 20-të, fshatarët e fshatit të vogël Siaotun në periferinë veriperëndimore të qytetit An-yang të provincës Henan gjenin rastësisht në ara guaska breshkash dhe kocka kafshësh dhe i shisnin si lëndë medicinale. Një shkencëtar për studimin e shkronjave të lashta vuri re se ato ishin plot me shkronja të lashta dhe filloi të kërkonte më tej. Pas pak kohe, shkencëtarët kinezë u bindën se shkronjat e gdhendura në ato guaska dhe kocka kanë qenë shkronja të dinastisë Shang dhe se fshati Siaotun e zona përreth kanë qenë pikërisht gërmadha e kryeqytetit Yin të dinastisë Shang.
Zbulimi dhe gërmimi i gërmadhës së kryeqytetit Yin të dinastisë Shang janë arritja më e rëndësishme në studimet arkeologjike në Kinë gjatë shekullit të 20-të. Qysh nga viti 1928, kur filloi gërmimi, këtu janë zbuluar një numër i madh reliktesh të çmuara kulturore, duke u përfshirë edhe shkronja në guaska breshkash dhe enë prej bronzi.
Këto shkrime në guaska breshkash dhe në kocka kafshësh përdoreshin në atë kohë si vegla për të profetizuar të ardhmen dhe ato tregojnë se mbretërit e dinastisë Shang i përdorën brez pas brezi ato guaska për të parashikuar të ardhmen.
Para se të përdoreshin, guaskat dhe kockat përpunoheshin në radhë të parë: të hiqeshin gjaku dhe mishi në to dhe sheshoheshin duke u fërkuar. Pastaj gërvishteshin me thikë gropa në to, të rreshtuara si duhej. Magjistarët gdhendnin në to emrin e vet, datën e parashikimit dhe pyetjet përkatëse dhe pastaj fillonin të digjnin ato gropa. Kur ato gropa përçaheshin, të çarat konsideroheshin si “shenja profetike” dhe atëherë magjistarët fillonin t'i analizonin “shenjat profetike” dhe shënonin konkluzionin e nxjerrë nga profetizimi dhe rezultatin e të vërtetuarit. Pas vërtetimit, ato guaska dhe kocka me shkrime viheshin për t'u ruajtur si materiale arkivore zyrtare.
Deri më sot, në gërmadhën e Yinit janë zbuluar gjithsej 160 mijë copë guaska të tilla. Sipas statistikave, në to ekzistojnë gjithsej më se 4000 hieroglifë të atëhershëm. Shkencëtarët kanë bërë studime për 3000 hieroglifë prej tyre dhe kanë kuptuar domethënien e 1000 hieroglifëve prej tyre. Kurse për të tjerët, shkencëtarët ende nuk kanë kuptuar domethënien e tyre ose kanë divergjenca serioze. Por megjithatë, me këto 1000 hieroglifë të kuptueshëm e njohim në përgjithësi gjendjen e dinastisë Shang në fushat politike, ekonomike, kulturore e të tjera.
Monografia më e hershme për studimin e shkrimeve në guaska të breshkave është vepra e Liu Esë me titull《Fshehja e breshkave në retë e hekurit》, e botuar në vitin 1913. Një monografi tjetër e rëndësishme në këtë fushë është libri i historianit dhe letrarit të njohur kinez Go Mo Zho me titull《Studime mbi shkronjat në guaska të breshkave》, të botuar në vitin 1929. Shkencëtarët bashkëkohorë me autoritet në këtë fushë janë profesor Qiu Si Gui në universitetin Pekin, profesor Li Xue Çin e të tjerë.
Njësoj si guaskat e breshkave me shkrime, edhe enët prej bronzi janë sende më me karakter përfaqësie të dinastisë Shang. Shkrirja dhe derdhja e tyre arritën një nivel shumë të lartë. Deri tani, janë zbuluar në gërmadhën e Yinit mijëra sende prej bronzi. Ndër to është edhe ena e madhe prej bronzi në formë katrore, e zbuluar atje në vitin 1939, e cila peshon 875 kilogramë, është 133 centimetra e lartë, 110 centimetra e gjatë dhe 78 centimetra e gjerë. Ajo është një nga veprat përfaqësuese e kulmit të epokës së kulturës kineze të bronzit në kohët e lashta. Gërmimet dhe studimet arkeologjike kanë vërtetuar se në kohën e dinastisë Shang kishte lindur shteti, ishte përcaktuar sistemi i pronësisë private dhe Kina kishte hyrë në epokën e civilizimit.