Jump to content

Temperatura

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kur prekim me dorë ndonjë trup, përjetojmë ndjesi të cilën e shprehim si ngrohtë apo ftohtë. Themi se trupi i ngrohtë e ka temperaturën më të lartë se trupi i ftohtë. Ndjesia për ngrohtësinë dhe ftohtësinë është relative. A do të kemi ndjesi për ngrohtësi apo ftohtësi, varet se në ç'gjendje ishte dora që e preku objektin, a ishte e vendosur më parë në akull apo në avujujit. Më saktësisht, dy njerëz japin përfundime të ndryshme për shkallën e ngrohjes së një trupi. Ndjesia e përfituar varet edhe nga lloji i trupit. Kur prekim trupin metalik dhe atë të drurit, që kanë të njëjtën shkallë ngrohjeje, trupi metalik na bën të duket më i ftohtë se trupi i drurit. Pra njesia e të prekurit nuk është e saktë, prandaj ne përdorim termometër për të matur temperaturën sepse ai është i saktë.

Përkufizimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Temperatura është madhësi fizike me ndihmën e së cilës matet se për sa një trup shpërputhet nga baraspeshimi termik me trupin tjetër. Temperatura është niveli i ngrohtësise së ajrit

Kuptimi dhe matja e temperaturës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si ta masim nxehtë apo ftohtë? Meqë këto janë ndjesi subjektive ato duhen lidhur me ndonjë dukuri e cila mund të matet. Kjo ndjesi matet me temperaturë dhe përcaktohet me termometër. Gjatë matjes së temperaturës termometri vendoset në kontakt me trupin, temperatura e të cilit dëshirohet të përcaktohet. Për shembull, vendoset termometri me mërkur në gotë me ujë të nxehtë. Shtylla e mërkurit do të zgjerohet deri në një vlerë dhe në termometër lexohen shkallët. Gjatë majtjës janë zbatuar dy dukuri. Së pari është shfrytëzuar vetia e zgjerimit të rregullt të merkurit gjatë temperaturës dhe pastaj baraspeshimi termik ndërmjet ujit dhe merkurit në termometër. Nëse shtylla e merkurit e të njëjtit termometër tregon të njëjtën gjatësi, në baraspeshimin termik, në dy mjedise të ndryshme, thuhet se ato mjedise e kanë të njëjtën temperaturë. Nëse këto mjedise takohen ndërmjet, përsëri thuhet se ata gjenden në baraspeshim termik. Kësisoji fitohet përkufizimi i temperaturës.

Temperatura në trevat shqiptare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shtrirja e madhe e trevave shqiptare nga bregdeti në brendësi të Gadishullit të Ballkanit dhe në drejtim vertikal kushtëzon ndryshime të dukshme të vlerave të temperaturës te ajrit.

Temperatura mesatare vjetore.

Temperatura mesatare vjetore lëkundet nga 17 grade C (bregdeti jonian) deri në 7 grade C ( lartesia 1200m - Vermosh në veri të Shqipërisë). Në lartësitë më të mëdha të trevave lindore kjo temperaturë është dhe më e ulët.

Muaji më i nxehtë

Muaji më i nxehtë është korriku. Mesatarja e temperaturës për korrikun në zonat e ulëta është mbi 25 gradë C (Sarandë, Kumenicë, etj). Vlerat më të larta të temperaturës kanë arritur rreth 44 grade C (Kuçovë). Në zonat e brendshme dhe të larta temperaturat mesatare arrijnë 13 gradë C (Kodra e Diellit në malin e Sharit ).

Muaji më i ftohtë

Muaji më i ftohtë është janari. Për zonat e ulëta dhe bregdetare, mesatarja e temperaturës për janarin arrin mbi 10 gradë C. Në lartësitë dhe në trevat lindore, në dimër të ftohtë kjo mesatare është mjaft e ulët nën - 3 gradë C . Minimumi më i ulët i temperaturës ka arritur - 29.4 gradë C (Manastir).

Shkalla e Celsiusit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Njësia për matje të temperaturës përcaktohet nga gjendja e termometrit në baraspeshim termik të përzierjes akull me ujë dhe gjendjes së të njëjtit termometër në baraspeshimin me avuj të ujit që valon në shtypje normale. Këto dy pozita të shtyllës së mërkurit shënohen si 0°C dhe 100°C dhe quhen pikat themelore. E qindta pjesë e gjatësisë së shtyllës në mes të pikave themelore quhet shkallë e Celsiusit (1 °C).

Njësit matëse e temperaturës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Njësitë për matjen e temperaturës janë: Kelvin, gradë Farenheit, gradë Celcius dhe gradë Reomir.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Chang, Hasok (2004). Inventing Temperature: Measurement and Scientific Progress. Oxford: Oxford University Press. ISBN 978-0-19-517127-3.
  • Charles Kittel, Charles; Kroemer, Herbert (1980). Thermal Physics (bot. i dytë). W. H. Freeman Company. ISBN 0-7167-1088-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Zemansky, Mark Waldo (1964). Temperatures Very Low and Very High. Princeton, N.J.: Van Nostrand.