Jump to content

Mustafa Greblleshi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
The printable version is no longer supported and may have rendering errors. Please update your browser bookmarks and please use the default browser print function instead.

Mustafa Greblleshi (Tiranë, 15 Janar 1922 - 22 maj 1986) ishte publicist, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar.

Jeta

Lindi në Tiranë në gjirin e një familjeje vendalie me origjinë nga Greblleshi, i biri i arsimtarit dhe ushtarakut Hamid Greblleshit dhe Nurijes[1].

Shkollimin fillor e mori në Vlorë, ku ishin me banim si familje ngaqë i ati ishte me shërbim. Shkollimin e mesëm në vendlindje, pranë Gjimnazit të Tiranës ku ishte drejtor Eqrem Çabej.

Pushtimi italian e gjeti 17 vjeç kur ishte ende në gjimnaz. I ati doli në lirim për arsye shëndetësore dhe krejt verën e vitit 1939 e kaloi me punë krahu deri kur iu dha një pension të atit. Gjen përkohësisht punë tek Drejtoria e Përgjithshme e Postë-Telegrafeve. Boton skica e tregime, herë humoristike dhe herë me një qëndrim të qartë mbi gjendjen e pushtimit. Njëri prej të cilëve "Nji trandafile" - ku trëndafili ishte alegoria e Shqipërisë së pushtuar - provokoi autoritetet dhe e çuan para prefektit Qazim Mulletit, i cili meqë e njihte e këshilloi duke i vënë kushtin që të ikte në Itali prej drojës se mos i riu do të anonte nga idetë komuniste. Këshillë që e ndoqi nga vjeshta e 1942 deri në pranverën e 1943, kur edhe kthehet në Tiranë për t'u radhitur si më rishtari në redaksinë e Rojës Kombëtare (më vonë u quajt "Bashkimi i Kombit" dhe u bë e përditshme) me kryeredaktor Gjergj Bubanin[2].

Pas Çlirimit është redaktor i gazetës “Bashkimi” nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1946, kur u arrestua si “armik i popullit”[3] dhe u burgos për 19 muaj[1] bashkë me kolegët Andrea Varfi dhe Petro Marko. Pas lirimit nga burgu punon disa vjet si mësues gjuhe në disa qytete. Nuk zgjati shumë, pasi u konsiderua i padenjë për të ushtruar një profesion të tillë. Kështu që u detyrua të punojë punëtor krahu deri në vitin 1974. Punët që bëri pasi u shpall i padenjë për të dhënë mësime gjuhe, ishin nga ato të hamallit që ngrinte thasë me çimento në kombinatin “Josif Pashko” deri tek bojaxhiu, për shumë vjet.

E bija Azylka tregon se mbylli sytë tek lexonte Monteskjenë në ballkonin e shtëpisë më 22 maj 1986, me dhimbjet e kancerit në kockë[3].

Shkrime dhe përkthime

Përkthimet e tij nga italishtja e frëngjishtja do të botoheshin në faqen e tretë të gazetës “Tomorri”, e cila drejtohej nga kritiku i njohur Vangjel Koça. Skicat letrare e tregimet i botonte me pseudonimet Mustafa Mustafai, Memli, Mano dhe me emrin e tij të vërtetë, ndërsa shkrimet satirike me pseudonimin Liu i Cakut[3]. Punon tri monografi, për Haki Stërmillin, Fan Nolin dhe Omar Khajamin - që u transmetuan në emisionet letrare të Radio Tiranës. Një monografi e katërt për Kristo Dakon nuk u përfundua nga shtjellimi i ngjarjeve të jetës[2].

“Kam shkruar edhe vargje, por si çdo poet i vërtetë përfundova në prozator”, shënon Greblleshi në monografinë e tij. Boton skica e tregime në revistat Kultura Islame, Njeriu, Vatra, Drini, Revista Letrare dhe sidomos në Bleta. Reflekset e trishtimit do t’i trashëgonte nga penat gjeniale si Mantegazza, Flamarioni, Carrelli, Waininger, Lombroso[3]. Më 1943 i botohet romani "Gremina e dashunís" nga miku i tij Fiqri Llagami[4]. Boton vëllimin me tregime “Albumi i një bojaxhiu” me ndihmën e Nasho Jorgaqit dhe Drago Siliqit (duke botuar së pari tregimet "Kuklla" dhe "Tut Huqi dhe hygjena" tek Nëntori më 1962), vëllimin për fëmijë “Shalli i kuq”. Përkthen novelat e Pirandelos botuar me titullin “Jeta lakuriq”, dramat e De Filipos botuar me titullin “Filumena Marturano” dhe "Njëmijë e një netët"[3] në mesin e viteve '60[4].

Burime

  1. ^ a b Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Nr. 120 v. 22 gusht 2009, Botim i Qendrës së Publikimeve Zyrtare, qpz.gov.al. Ky burim pasqyron si ditëlindje 16 janarin e 1920, por tek vëllimi "Kujtime 1939-1944" Mustafai dëshmon vetë se qe 17 vjeç kur Italia pushtoi Shqipërinë. Gjë që na bën t'i përmbahemi ditëlindjes tashmë të divulguar.
  2. ^ a b M. Greblleshi, Kujtime 1939-1944, Tiranë: Çabej, 2017.
  3. ^ a b c d e E. Demo, Intervistë botueses Brikena Çabej: Mustafa Greblleshi: “Dëshirat e tua janë (ar) miku yt, o i burgosur”, 13 shkurt 2005. 
  4. ^ a b B. Alimehmeti, Gremina e dashunisë" dhe gremisja e një shkrimtari të talentuar: [Mustafa Greblleshi], Ballkan. - Nr. 1340, 31 gusht, 2008, f. 14 - 15.