Jump to content

Fatos Baxhaku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(ndrysh) ← Version më i vjetër | shikoni versionin e tanishëm (ndrysh) | Version më i ri → (ndrysh)

Fatos Baxhaku (9 janar 1964 - 16 gusht 2019) ka qenë gazetar, publicist dhe pedagog shqiptar,[1] një nga pionierët e shtypit të pavarur prej fillimit të viteve '90. Autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar. Fatos Baxhaku u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare.

U lind në Tiranë më 9 janar ne 1964, i biri i pedagogut Shaban Baxhaku.[2] Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare "Emin Duraku" dhe "20 Vjetori", (sot Dora D'Istria). Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Ismail Qemali". Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Unversitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori. Nga viti 1986 deri më 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 1993 e deri në vitin 1998 ka punuar si kryeredaktor dhe gazetar i "Gazetës Shqiptare". Në vitet 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin "Klan". Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme "XXL". Gjatë viteve 2001-2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin "Vizion Plus". Në periudhën 2006-2015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të perditshmen "Shqip". Nga viti 2015 ishte gazetar në profesion të lirë.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe "Tunel" (Vizion Plus), "Rrugëtim" (Top Channel), "Shtëpia e Vjetër" (Digitalb) si dhe i shumë dokumentarëve televiziv.

Ka punuar si pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetin e Elbasanit dhe Tiranës.

Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me organizatat "Soros", "USAID", "Instituti Shqiptar i Medias", "OSBE" etj.

"Gur", shtëpia botuese "Papirus" viti 2008, është një përmbledhje me reportazhe. "Gur" përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë janë zgjedhur një pjesë e reportazheve që autori i ka botuar çdo të dielë në gazetën "Shqip". Ai i ka shkruar këto reportazhe gjatë viteve 2006-2007. Në pjesën e dytë, të titulluar "Haberet e Cenit", ka mbledhur disa shkrime që janë botuar në gazetën "Panorama", gjatë viteve 2005-2006. Në fjalët hyrëse të librit autori tregon përse zgjodhi ta quajë "Gur". Ai shprehet se: "E di që ndokush mund të më pyesë për titullin e këtij libri: Përse "Gur"? Deri vonë kam pasur një zakon. Në çdo vend ku shkoja merrja nga një gur si kujtim. Më dukej gjëja më e qëndrueshme dhe, në shumë raste, edhe më karakteristike e fshatrave dhe qytezave. Njerëzit ikin shpejt, gurët mbeten. Rrokullisen, thyhen plasariten, ngrijnë e shkrijnë, porse janë gjithnjë po ata. Këtë zakon jo edhe fort praktik, nisa ta lë kur apartamenti im nisi të mbushej ca si frikshëm me kanistra cip me gurë, por edhe tani fus në xhep ndonjë guralec, sidomos nga ata të zallit të lumenjve[3]. Libri ka 536 faqe.

  1. ^ "Ndahet nga jeta publicisti dhe gazetari Fatos Baxhaku". Shqiptarja.com. 16 gusht 2019.
  2. ^ Bajraktari, Fatos (13 shkurt 2018). "Shaban Baxhaku". elbasaniad.org. Arkivuar nga origjinali më 8 nëntor 2019. Marrë më 8 nëntor 2019.
  3. ^ Baxhaku, Fatos (2008). Gur. Papirus. fq. 9–10.