Britania njoftoi sot nisjen e një dërgese  gati 100 ton ndihma humanitare për Rripin e Gazës. Ngarkesa pritet të arrijë në territorin palestinez përmes portit artificial të ndërtuar nga ushtria amerikane dhe që së shpejti do të vihet në funksion.

“Ndihma britanike është larguar nga Qiproja për dërgimin e parë përmes portit të ri të përkohshëm të Gazës,” tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.

Të martën, Pentagoni njoftoi se porti artificial i ndërtuar për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në këtë enklavë do të jetë funksional “brenda ditëve të ardhshme”.

“Sot (e mërkurë), dërgesa e parë e ndihmave britanike është një moment i rëndësishëm në rritjen” e fluksit të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës“, tha kryeministri Rishi Sunak.

“Megjithatë ne e dimë se nevojiten më shumë, kryesisht nga toka,” shtoi ai.

Hapja e menjëhershme e kësaj rruge detare “nuk zëvendëson ndihmën e dërguar nga toka, e cila mbetet mënyra më efektive” për të mbështetur popullsinë e Rripit të Gazës, thotë gjithashtu Londra, e cila “vazhdon të nxisë Izraelin të mbajë angazhimin e tij për të lejuar të paktën 500 kamionë ndihma në Gaza” çdo ditë.

Lufta në  territorin palestinez shpërtheu pas sulmit të paprecedentë të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1,170 njerëz, shumica prej tyre civilë, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite.

Operacionet e vazhdueshme ushtarake të Izraelit kanë vrarë të paktën 35,173 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë së Hamasit, lëvizjes islamike që mori pushtetin në Rripin e Gazës në vitin 2007. /vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *