Jump to content

dallëndyshe

Nga Wiktionary

DALLËNDYSHE f.

1. Zog shtegtar i vogël sa trumcaku, me krahë të mprehtë, me bisht të bigëzuar si gërshërë e me sqep të hollë, që fluturon shpejt e me zhdërvjelltësi të madhe dhe e bën folenë zakonisht nën strehët e ndërtesave. Foleja e dallëndyshes. Erdhën dallëndyshet. Dallëndyshet janë lajmëtaret e pranverës.

2. Pjesë e avlëmendit, e ndarë si bigë, që shërben për të mbajtur varur lisat e pëlhurës.

3. Kunj i vogël druri që lidh dorezën e parmendës me shtizën.

4. Pjesa e butë e thundrës së kalit.

  • Dallëndyshja e parë shenja e parë e diçkaje që do të vijë me shumicë; ai që çan i pari drejt diçkaje të re e pak të njohur. Qumësht dallëndysheje shih te QUMËSHT,~I. Janë si zogjtë e dallëndyshes janë fare të brishtë e të pafuqishëm dhe kanë nevojë për ndihmë, përkrahje e kujdes të drejtpërdrejtë. Me një dallëndyshe (me një lule) s'vjen pranvera (behari) fj.u. shih te LUL/E,~JA. Bar dallëndysheje bot. shih te BAR,~I I.