Jump to content

Xhelal Koprëncka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Xhelal Koprencka
Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë
U lind në
Vdiq1919
KombësiaShqiptar

Xhelal bej Koprëncka (Koprenckë, 1876 - Dëllinjë, 21 tetor 1919) ka qenë ushtarak akademist shqiptar i Perandorisë Osmane, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës dhe firmëtar i shpalljes së pavarësisë.[1] I cilësuar si reaksionar nga historiografia komuniste, duke shtuar edhe pushkatimin e nipit që mbante emrin e tij, emri iu fshi nga lista e nënshkruesve të pavarësisë.[2]

U lind në Koprenckë të kazasë së Skraparit, i biri i Dalip bej Mançes dhe Dekos së Veli beut të Gostënckës. Nga kjo martesë lindën Xhelali, Hasani, Samiu dhe Abdyli. Xhelali mësimet fillore i mori në Korçë, më pas ndoqi "Robert College" në Stamboll dhe akademinë ushtarake po në kryeqytet. Pas përfundimit të akademisë, u caktua me shërbim në Selanik, ku u njoh me botuesin e Kalendarit Kombiar dhe Lirisë së Selanikut, Mid'hat Frashërin dhe merrte gjithashtu Rrufenë e Jani Vretos. Më 1911 u caktua komandant xhandarmërie në Janinë.[1]

Mori pjesë në kuvendin e mbajtur në Vlorë nga Ismail Qemali, ku nënshkroi deklaratën e pavarësisë. Më pas ndihu Mehmet pashë Derallën në organizimin e xhandarmërisë.[1]

Veprimtar i luftës për çlirim kombëtar, sidomos me një të afërm të tij, Ali Koprëncka. Të dy pjesë e komitetit të fshehtë “Për lirin’ e Shqipërisë”, ushtronin veprimtarinë e tyre patriotike në Korçë dhe Manastir, në klubin e shqiptarëve të atjeshëm. U kujdes për shkollën shqipe të Korçës, atë të vashave dhe djemve. Anëtar i shoqërive patriotike jashtë vendit. Si delegat i Skraparit, merr pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmon dokumentin e independencës me siglën “Xhelal Ko”. Më 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit., si delegat nga Skrapari. I ndjekur nga elementë antikombëtarë, Koprëncka u vra pabesisht në vitin 1919.

  1. ^ a b c Fatjon Kaloçi (6 tetor 2017). "Saga e bejlerëve të Koprenckës (2)". corovodaonline.com. Arkivuar nga origjinali më 7 mars 2021. Marrë më 10 shkurt 2021.
  2. ^ Roland Qafoku (10 mars 2018). "Historia e panjohur: si u vra firmëtari i pavarësisë Xhelal Koprëncka për hakmarrje dhe fati tragjik i pasardhësve të tij". gazetatema.net.