Wim Hof
Wim Hof |
---|
Wim Hof (lindur më 20 prill 1959), i njohur gjithashtu si Iceman (burri i akullit), është një atlet holandez i sporteve ekstreme, i famshëm për aftësinë e tij për t'i bërë ballë temperaturave ekstremisht të ulëta. Ai ka mbajtur rekorde botërore Guinness për not nën akull dhe kontakt të gjatë të trupit të tij me akullin. Aktualisht mban rekordin për një gjysmë maratonë zbathur në akull dhe dëborë. Ai i lidh këto arritje me metodën e tij Wim Hof (Wim Hof Method), një kombinim i ekspozimit të shpeshtë ndaj të ftohtit, teknikave të frymëmarrjes dhe meditimit. Hof ka qenë subjekt i disa kërkimeve mjekësore dhe i një libri nga gazetari investigativ Scott Carney.
Jeta e hershme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Hof lindi në Sittard, Limburg, në Hollandë si një nga nëntë fëmijët e familjes së tij (sipas renidt të lindjes: Rob [1954], John [1955], Marianne [1957], Wim dhe Andre [binjakët identikë 1959], Ruud [1961] , Ed [1962], Marcel [1964], Jacqueline [1967]). Hof ka gjashtë fëmijë, katër prej tyre me gruan e tij të parë Marivelle-Maria, e cila vdiq duke u vetëvrarë në 1995, një djalë i lindur në 2003 nga e dashura e tij në atë kohë, dhe një djalë i lindur në 2017 nga e dashura e tij e fundit. Kur ishte 17 vjeç, ai ndjeu një dëshirë të papritur për t'u hedhur në ujin e ftohtë të kanalit Beatrixpark. Hof ka thënë se trishtimi i tij për humbjen e gruas së parë ishte çfarë e bëri atë të zhvillonte teknika për t'u përballur me ambiente me temperaturë të ulët.
Metoda Wim Hof
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Wim Hof ka krijuar një regjim të quajtur Metoda Wim Hof, së bashku me djalin e tij Enahm Hof. Kjo metodë përfshin tre pjesë kryesore: terapi të ftohtë, frymëmarrje dhe meditim. Ajo ka ngjashmëri me meditimin tibetan Tummo dhe Pranayama, pasi të dyja përdorin teknika të frymëmarrjes.
Frymëmarrja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ekzistojnë shumë lloje të metodës së frymëmarrjes. Versioni bazë përbëhet nga tre faza si më poshtë:
- Hiperventilimi i kontrolluar: Faza e parë përfshin 30 cikle frymëmarrjeje. Çdo cikël është si më poshtë: merrni frymë fuqishëm, duke mbushur plotësisht mushkëritë. Lëshojeni frymën në mënyrë pasive. Përsëriteni këtë cikël me një ritëm të qëndrueshëm tridhjetë herë. Hof thotë se kjo formë e hiperventilimit mund të shkaktojë ndjesi të lehtë mpirjeje.
- Nxjerrja: Pas përfundimit të 30 cikleve të hiperventilimit, merrni përsëri frymë thellë dhe nxirreni plotësisht. Mbajeni frymën (me mushkëri të zbrazët) për aq kohë sa të jetë e mundur.
- Mbajtja e frymës: Kur të ndjeni shumë nevojë për të marrë frymë, merrni frymë thellë. Mbajeni frymën për rreth 15 - 20 sekonda dhe lëshojeni. Trupi juaj mund të përjetojë një ndjesi normale të marrjes së mendjes.
Këto tre faza mund të përsëriten për tre raunde radhazi.
Kërkime shkencore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Studimet paraprake të metodës së Hof-it, si dhe praktikat e ngjashme të frymëmarrjes, kanë treguar se hiperventilimi mund të ulë përkohësisht përgjigjen e imunitetit si dhe të rrisë përkohësisht rrahjet e zemrës dhe nivelin e adrenalinës. Sidoqoftë, pretendimet e tjera mjekësore të bëra nga Hof, si trajtimi i kancerit dhe sëmundjeve auto imune, nuk janë vërtetuar nga ndonjë hulumtim rigoroz nga grupe studiuesish.
Daljet në media
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Hof shfaqet në videoklipin muzikor për "My Last Breath" nga James Newman, kënga e Mbretërisë së Bashkuar për Eurovision Song Contest 2020.
Ai gjithashtu shfaqet në sezonin e parë të serialit Goop Lab në Netflix.