Jump to content

Pat Metheny

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Pat Metheny
Background information
Emri i lindjesPatrick Bruce Metheny
Lindi (1954-08-12) 12 gusht 1954 (70 vjeç)
ZhanretJazz, jazz fusion, jazz folk world fusion, post-bop, crossover jazz
muzikant, kompozitor
Instrument(et)Kitarë, Kitarë elektrike, kitarë akustike, kitarë sintetizator
LabeliECM, Geffen, Nonesuch
Websitewww.patmetheny.com

Patrick Bruce "Pat" Metheny (që shqiptohet Shqiptimi anglisht: /məˈθiːni/}; lindur më 12 gusht, 1954, Lee's Summit, Missouri) është një kitarist dhe kompozitor amerikan i muzikës jazz.

Një nga muzikantët e xhazit ndër më të suksesshmit dhe më të vlerësuarit prej kritikës, që filluan të shquhen në vitet ’70 dhe ’80, drejtues i Pat Metheny Group-it dhe që është përfshirë në duete, vepra solo dhe të tjera projekte muzikore. Stili i tij përmban elemente të xhazit progresiv dhe bashkëkohor, post-bop, latin jazz dhe të jazz fusion.[1] Vepra e Pat Metheny-it përmban tre albume të artë dhe 19 çmime Grammy.[2] Është vëllai i flugelhornistit dhe gazetarit të xhazit Mike Metheny.

Metheny u lind dhe u rrit në Lee’s Summit, Missouri, një lagje në juglindje të Kansas City-t. Mjedisi familjar ishte i lidhur fort me muzikën: gjyshi nga e ëma kish qenë një trombetist profesionist; vëllai, Majku, pesë vjet më i madh se Pati, edhe ky i kish hyrë rrugës së veglave muzikore frymore. Kështu që edhe fillimet e Patit ishin në trombë. Por vala e muzikës së The Beatles-ve me kitarat e tyre, dhe kitarat e varura në rrojtoren e qytetit, të cilave u binin kur nuk kish klientë, e bënë të ndërrojë instrument, edhe pse reagimi i parë i prindërve qe: "Nuk ke për të futur ndonjëherë kitarë në këtë shtëpi!" Në moshën 11 vjeçare, me paratë e mbledhura nga shpërndarja e gazetave nëpër shtëpi, dhe me lejen e prindërve si dhuratë Krishtlindjesh, Pati bleu kitarën e tij të parë. Me të cilën ai do të kalonte 10-12 orë në ditë, përditë, duke u ushtruar dhe i mësuar vetes kitarën dhe muzikën xhaz nga librat dhe disqet. Sipas fjalëve të vetë Patit, "...notat në shkollë i kisha përtokë... qeshë rasti klasik i fëmijës që është andrallë për prindërit..." Pas diplomimit në shkollën e mesme të vendlindjes, ndoqi për pak kohë studimet në Universitetin e Majamit në Coral Gables, Florida, më 1972, ku i ofruan pa humbur kohë një vend mësimdhënieje. Mandej kaloi në Boston për të marrë përsipër një vend asistent profesori në Berklee College of Music me vibrafonistin e xhazit, Gary Burton.[3] Fama e tij fillon si adoleshent gjeni, nën përkujdesjen e Burton-it.[4] Më 1974 vjen debutimi i tij në studiot e incizimit, tok me basistin Jaco Pastorius, gjatë dy sesionesh për shtëpinë diskografike të pianistit Paul Bley dhe Carol Goss-it, Improvising Artists.

Metheny hyri në rrethet më të gjera të xhazit më 1975, kur u bë pjesë e grupit të Gary Burton-it, në të cilin luajti përkrah kitaristit xhaz të përhershëm në grup, Mick Goodrick. Goodrick kish qenë nxënës në Berklee-i më 1967, dhe kish pasur një vend mësimdhënieje atje, në fillimet e viteve ’70. Dy kitaristët qenë intervistuar tok nga Guitar Player Magazine më 1975, duke tërhequr mbi ta vëmendjen e kitaristëve dhe dashamirësve të kitarës nga e gjithë bota. Spiralja muzikale e Metheny-it e shpuri shpejt atë në pikën ku, brenda pak kohe, pat shkruar material të mjaftueshëm për të incizuar albumin e tij debutues Bright Size Life, me Pastorius-in dhe bateristin Bob Moses.

Incizimi pasues i Metheny-it, i 1977-s Watercolors, qe i pari me pianistin Lyle Mays, bashkëpunëtori më i shpeshtë i Metheny-it. Muzikantët e tjerë në këtë sesion qenë Eberhard Weber në kontrabas dhe Danny Gottlieb në bateri. Përmes disa pjesësh të shkruara bashkë, albumi pasues i Metheny-it e zyrtarizoi bashkëpunimin e tij me Mays-in dhe i dha fill grupit Pat Metheny Group; albumi u hodh në qarkullim me emërtimin Pat Metheny Group, nga shtëpia diskografike ECM e muzikantit/produktorit nga Gjermania Perëndimore, Manfred Eicher.

Pat Metheny ka hedhur gjithashtu në qarkullim incizime të shquara solo, trio, kuartete dhe duete me muzikantë të tillë si Jim Hall, Dave Holland, Roy Haynes, Toninho Horta, Gary Burton, Chick Corea, Pedro Aznar, Jaco Pastorius, Charlie Haden, John Scofield, Jack DeJohnette, Herbie Hancock, Bill Stewart, Ornette Coleman, Brad Mehldau, Joni Mitchell dhe shumë të tjerë.

Pat Metheny ka marrë pjesë në projekte të tilla si Song X me Ornette Coleman-in; Parallel Realities; dhe Jazz Baltica, me Ulf Wakenius-in dhe të tjerë instrumentistë xhazi nordikë, si E.S.T., Nils Landgren dhe ka ekzekutuar me këngëtarë unikë nga e gjithë bota, të tilla si Silje Nergaard tek Tell Me Where You’re Going (1990), Noa tek Noa (1994), Abbey Lincoln tek A Turtle's Dream (1994) dhe Anna Maria Jopek tek Upojenie (2002). Në bashkëpunimet e tij me muzikantë të tjerë të mëdhenj përfshihen punë meMilton Nascimento, Santana, Dominic Miller, Michael Brecker, Trilok Gurtu etj.

Pat Metheny bën turne prej më shumë se 30 vitesh, duke dhënë 120-240 koncerte në vit.

Pat Metheny Group

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pat Metheny Group është një grup fuzioni i themeluar më 1977-n, formuar nga Pat Metheny dhe Lyle Mays në tastiera. Grupi qe një nga shembujt e rrallë të një formacioni xhaz që ia doli të mbërrijë te publiku i shumtë, pa rënë pre e lëshimeve për arsye komerciale. Përgjatë viteve grupi ka përpunuar një stil lehtësisht të dallueshëm, të bazuar në orkestrime të dendura, ku dëgjohet shpesh kontrapukti klasik, dhe të përzjera fort me ngjyresa të muzikës nga bota, veçanërisht asaj amerikanojugore.

Metheny merrej me meloditë, Mays me harmonitë e ndërlikuara. Është i shpeshtë përdorimi i kohëve të përbëra: për t’u kujtuar veçanërisht, fillimi i pjesës "First Circle" (1984), me një rrahje duarsh në kohën 22/8, ose "5-5-7" (1989) tek e cila alternohen kohë të parregullta që i japin dhe titullin kompozimit.

Prodhimi i parë i Pat Metheny Group-it, ai i 1978-s, Pat Metheny Group, përmbante kompozime të dyshes Pat Metheny dhe pianistit Lyle Mays, bashkëpunim që është shtrirë në më shumë se 25 vjetë dhe 15 albume. Në këtë incizim në bas luajti Mark Egan, protégé i Jaco Pastorius-it. Albumi i dytë i grupit, American Garage (1980), qe një sukses shpërthyes, që mbërriti në vendin e No. 1 në klasifikimin Billboard Jazz dhe që hyri po ashtu edhe në klasifikimet e muzikës pop, më së shumti për hir të pjesës up-tempo që hapte diskun "(Cross the) Heartland", e cila do të bëhej një nga pjesët simbol të grupit. Kjo fazë e hershme e grupit përfshin Mark Egan-in në bas dhe Dan Gottlieb-in në bateri.

Grupi e rriti suksesin e vet përmes turneve konstante nëpër Sh.B.A. dhe Europë. Tingulli i grupit në fillimet e veta qe unik, veçanërisht për hir të kitarës Gibson ES-175 të Metheny-it, të ndërthurur me dy digital delay Harmonizer Clockworks nga Eventide, sintetizatorët Oberheim dhe Prophet 5 nga Sequential Circuits dhe pianon Steinway të Mays-it. Grupi, edhe në këtë stad të hershëm të vetin, luante në një interval të gjerë stilesh, nga folku në rok e deri në muzikë eksperimentale. Metheny më pas filloi të punonte me kitarën sintetizator Roland GR-300 dhe sisteme Synclavier për kitarë, krijuar nga New England Digital. Mays e zgjeroi arsenalin e vet me tastiera Synclavier dhe më pas me të tjera kitara sintetizator.

Nga e majta në të djathtë: Steve Rodby dhe Pat Metheny.

Nga 1982 më 1985, Pat Metheny Group hodhi në qarkullim Offramp (1982), një incizim live Travels (1983), dhe First Circle (1984), si edhe The Falcon and the Snowman (1985), album muzike filmi për filmin me të njëjtin titull, në të cilin bashkëpunuan me David Bowie-n. Një këngë nga muzika e filmit, 'This Is Not America', kapi vendin e 14-të në British Top 40 në fillimet e 1985-s, si dhe vendin e 32-të në Sh.B.A.

Offramp shënoi shfaqjen e parë të basistit Steve Rodby (zëvendësuesi i Mark Egan-it) dhe "artistin mysafir" brazilian Nana Vasconcelos, loja e të cilit në perkusione dhe vokal pa fjalë shënon përdorimin e parë të hijeve të muzikës latine në tingëllimin e grupit, një modë që do të vazhdonte dhe do të fuqizohej tek First Circle me pjesëmarrjen e instrumentistit të shumëanshëm argjentinas Pedro Aznar, album që shënoi edhe debutin e bateristit Paul Wertico (që zëvendësoi Dan Gottlieb-it) në grup - si Rodby, edhe Wertico, në atë kohë kishin qenë anëtarë të Grupit të Fred Simon-it, dhe patën luajtur në Simon-Bard po ashtu, në Çikago, përpara se t’i bashkoheshin Metheny-it.

Kjo periudhë përbën një kulm për popullaritetin komercial të grupit, veçanërisht me incizimin live të Travels. First Circle do të qe projekti i fundit i Metheny-it me with ECM Records; Metheny kish qenë nga artistët kryesorë të ECM-së, por e braktisi pas mosmarrëveshjesh konceptuale me themeluesin e kompanisë, Manfred Eicher. Hedhjet pasuese në qarkullim të Grupit të Pat Metheny-it do të bazoheshin në një intensifikim të mëtejshëm të ritmeve braziliane të dëgjuara së pari në fillimet e viteve ’80. Të tjerë muzikantë latinë do të shfaqen si të ftuar, për t’u shënuar perkusionisti brazilian Armando Marçal. Still Life (Talking) (1987) qe disku i parë i grupit nën shtëpinë e re diskografike Geffen Records, dhe që përmbante disa pjesë të njohura të tyre, i pasuar nga Letter from Home (1989) ku luajtën prapë Aznar dhe Marçal. Gjatë kësaj periudhe The Steppenwolf Theater Company në Çikago punoi me një sërë kompozimesh nga Pat Metheny dhe Lyle Mays për realizimin prej tyre të pjesës së Lyle Kessler-it Jetimët, dhe që atëherë kjo muzikë ka mbetur opsioni special muzikor për krejt vëniet në skenë të pjesës, anembanë botës.

Mandej Metheny u hodh sërish në projekte të guximshme solo dhe grupi, dhe kaluan katër vjetë përpara se të hidhej në qarkullim disku pasues i grupit të riformuar Pat Metheny Group, incizim live i titulluar The Road to You, që përmbante pjesë nga albume studioje nën Geffen, veç pjesëve të reja. Grupi futi instrumenta dhe teknologji të reja në veprën e vet; për t’u theksuar teknika unike e lojës së Mays-it, e arritur përmes shtimit të tingujve nga sintetizatorë të kontrolluar me pedal, në ata të pianos, gjatë solosh akustike.

Mays dhe Metheny, tre disqet vijuese të Pat Metheny Group i quajnë triptiku: We Live Here (1995), Quartet (1996), dhe Imaginary Day (1997). Duke iu larguar stilit latin që kish mbizotëruar hedhjet në qarkullim gjatë dhjetëvjetëshit të mëparshëm, këto qenë albumet me shtrirje më të gjerë, dhe ato më pak komerciale të grupit, ku përfshiheshin eksperimentime me bateri të krijuar nga sekuenca sintetizatori në njërën prej pjesëve, improvizim të formës së lirë në instrumenta akustikë, dhe tone simfonike, skema blues-i dhe sonatash.

Pas një ndërprerje tjetër, Pat Metheny Group ridoli prapë në sipërfaqe më 2002 me diskun Speaking of Now, një tjetër ndërrim drejtimi, pas shtimit në grup të muzikantëve nga një brez më i ri, të rritur me muzikën e Grupit Pat Metheny. Anëtarët e rij të grupit qenë bateristi Antonio Sanchez nga Mexico City, trombetisti Cuong Vu, dhe basisti, vokalisti, kitaristi, dhe perkusionisti Richard Bona nga Kameruni.

Metheny në turne më 2003
Courtesy: Tyrone Lancaster

Disku i fundit, ai i 2005-s, The Way Up, është një tjetër incizim me konceptim të gjerë, që përbëhet nga një pjesë e vetme 68 minuta e gjatë (edhe pse e ndarë në katër ndarje, thjesht për përdorim të CD-së), një pjesë fort e organizuar, jo sekuencionale, e bazuar në një çift bërthamash trinotëshe: hapja me Si, La#, Fa# dhe pasueset Si, La, Fa#. Pritja që iu bë The Way Up qe në të njëjtën linjë ngado, me ovacione në këmbë për secilin nga thuajse 90 koncertet gjatë turneut botëror të 2005-s. Me The Way Up, u paraqit si anëtar i ri i grupit lojtësi i harmonikës Grégoire Maret nga Zvicra, ndërkohë që Richard Bona kontribuoi vetëm si muzikant i ftuar.

Gjatë turneut botëror, instrumentisti i shumanshëm brazilian Nando Lauria plotësoi radhët e Grupit të Pat Metheny-it. The Way Up u hodh në qarkullim nga Nonesuch Records dhe krejt katalogu i veprave të dikurshme të Metheny-it nën Geffen dhe Warner Brothers do të hidhet në qarkullim nga kjo shtëpi. Anëtarët bazë të grupit janë drejtuesi dhe themeluesi, kitaristi Pat Metheny, Lyle Mays (piano, tastiera) dhe Steve Rodby (kontrabas dhe bas elektrik), që iu bashkua grupit më 1980. Bateristi Paul Wertico zëvendësoi Dan Gottlieb-in më 1983 dhe vazhdoi të luajë me grupin për më shumë se 18 vjetë, deri sa u zëvendësua nga Antonio Sanchez, edhe ky anëtar i tanishëm i The Pat Metheny Trio-s.

Anëtarët e tanishëm të grupit Pat Metheny Group janë Pat Metheny (kitara), Lyle Mays (piano dhe tastiera), Steve Rodby (kontrabas dhe bas elektrik), Antonio Sanchez (bateri), Cuong Vu (trombë). Muzikantë të tjerë që janë marrë rregullisht për turnetë e The Pat Metheny Group-it janë: i ndjeri Mark Ledford (vokal, trombë, kitarë); David Blamires (vokal, instrumenta të ndryshëm); Armando Marçal perkusione; Pedro Aznar (vokal, kitarë, perkusione); Richard Bona (vokal, kitarë, bas, dhe perkusione). Në turneun më të ri, atë të promovimit të diskut "The Way Up", grupit iu bashkuan Grégoire Maret (harmonikë, perkusione, vokal) dhe Nando Lauria (kitarë, perkusione, vokal). Pat Metheny ka fituar 19 Çmime Grammy, dhe prej tyre, si pjesë e The Pat Metheny Group-it, 10 janë në radhë pa ndërprerje.

Projekte anësore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë punës jashtë kufijve të PMG-së, Metheny ka shpalosur anë të ndryshme të personalitetit të tij muzikor. Me Secret Story (1992) dhe Orchestrion (2009), ka eksploruar në muzikën e vet forma orkestrimi të pambuluara nga PMG. Duke bashkëpunuar, që nga fundi i viteve ’80, me figura të rrënjosura të xhazit, të tilla si Ornette Coleman, Chick Corea, Michael Brecker, Joshua Redman, Charlie Haden, Jim Hall, Dave Holland, Christian McBride, David Sanchez dhe Roy Haynes, ka incizuar albume që kanë tërhequr kritikën e xhazit, e cila kish qenë jo shumë vlerësuese rreth aspekteve "pastorale" ose "prej roku të lehtë" të veprës së tij me PMG-në. Projekte të tilla si bashkëpunimi me Derek Bailey-n dhe Zero Tolerance for Silence i kanë ngatërruar paksa kritikët që e shohin Metheny-n të ndjekë një rrugë gjithnjë e më larg PMG-së. Projektet më të reja të Metheny-it e kanë bashkuar me Brad Mehldau dhe Trion e këtij. Më 2006, Metheny u shfaq si anëtar grupi në albumin e fundit të Brecker-it, Pilgrimage.

Kontribute për kitarën

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Pat Metheny dhe kitara e tij.

Duke ndjekur traditën e kitaristëve të xhazit që huazojnë tone dhe teknika nga kolegët e tyre të rokut, Metheny ka bërë ndryshime te paleta e toneve të kitarës xhaz.

Elektrikja dymbëdhjetëkordëshe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Para Metheny-it, Pat Martino kish përdorur kitarë elektrike dymbëdhjetëkordëshe për një album studioje, Desperado, dhe John McLaughlin kish përdorur një kitarë elektrike me dy bishta me Mahavishnu Orchestra-n. (Lenny Breau kish futur në xhaz kitarën akustike me dymbëdhjetë korda.) Metheny futi në xhaz akordime të tjera për dymbëdhjetëkordëshet; këto mund të dëgjohen në pjesë të tilla si "Sirabhorn" (te Bright Size Life) dhe San Lorenzo (te Pat Metheny Group dhe Travels).

Elektrikja gjashtëkordëshe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Toni i Metheny-it, që ka evoluar përgjatë viteve, ngërthen përdorimin e reagimit natyral të kitarës së tij - një kitarë me zgavër akustike - në të gjitha frekuencat, ndërthurur me rregullime në frekuencat e sipërme të intervalit të mesëm te amplifikatori i tij, për të krijuar një tingull të rrjedhshëm, të mbajtur, që praktikisht nuk përmban frekuenca të larta depërtuese, por që prapë është në gjendje të vihet re në një miksazh të dendur. Duke përdorur përpunim dixhital të sinjalit, ku përfshihen efektet digital delay, chorus dhe reverb, ai ka krijuar një tingull instrumental të fuqishëm, të pasur dhe rezonues.

Kitarë sintetizator

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Metheny qe gjithashtu ndër të parët kitaristë të xhazit që përdori gjerësisht kitarën sintetizator e kitarës Roland GR-300 Kitarë Sintetizator. Edhe pse John Abercrombie dhe Bill Frisell e kishin përdorur paq atë gjatë viteve ’80, Metheny është i vetmi prej këtyre të treve që ende e përdor instrumentin rregullisht. Ndryshe nga shumë përdorues të kitarës sintetizator, Metheny e kufizon veten në shumë pak tinguj. Në intervista, ai ka shpjeguar se çdo timbër i arritshëm përmes një kitare sintetizator duhet trajtuar si një instrument më vete, dhe se ai është përpjekur të zotërojë secilin prej këtyre "instrumentave", në vend që t’i përdorë për ngjyresa të rastit. Një nga "arnimet" që Pati përdorte shpesh gjendet te skeda zgjeruese për "Vintage Synth" JV-80 Roland me emrin "Pat’s GR-300".

Kitara dyzetedykordëshe Pikasso

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Metheny, tek "Into the Dream" dhe te albumet Quartet, Imaginary Day, Jim Hall & Pat Metheny, Trio->Live, dhe te DVD-të Speaking of Now Live dhe Imaginary Day përdor edhe një Pikasso I të krijuar enkas për të nga luthier Linda Manzer. Metheny e ka përdorur gjithashtu kitarën në albume artistësh të tjerë, ku ka luajtur si i ftuar.

Po Manzer ka bërë edhe mjaft kitara akustike për Metheny-in, përfshi këtu një minikitarë, një kitarë akustike sitar, dhe kitarën bariton, të cilën Metheny e përdori për incizimin e One Quiet Night. Hera e fundit që ka përdorur Pikasso-n është në albumin Metheny Mehldau Quartet, bashkëpunimi i dytë i tij me pianistin Brad Mehldau dhe anëtarët e trios së këtij të fundit, Larry Grenadier dhe Jeff Ballard; Pikasso-ja dëgjohet te kompozimi impresionist i Metheny-it, "The Sound of Water."

Si muzikant i ri, Pat Metheny bëri gjithë ç’kish në dorë që të dëgjohej si Wes Montgomery, por kur u bë 14 apo 15 vjeç, doli në përfundimin se i dukej se imitimi i tij qe mungesë respekti.[5] Në shënimet tek përmbledhja me 2 disqe mbi Montgomery-n, Impressions: the Verve Jazz Sides, Metheny citohet të ketë thënë, "(Smokin’ at the Half Note) është në mënyrë absolute albumi më i fortë për kitarë xhaz që mund të jetë bërë ndonjëherë. Është gjithashtu incizimi që më mësoi si të luaj."

Kompozimet e palatuara, linjat asimetrike, shtysa e palodhur ritmike, dhe ndjesitë e thella bluz të New York is Now! (Blue Note) të Ornette Coleman-it e frymëzuan Metheny-n të gjejë drejtimin e vet.[6] Ai ka përfshirë kompozime të Coleman-it në një numër incizimesh të vetat (duke filluar me potpurrinë "Round Trip" dhe "Broadway Blues" te albumi i tij debutues Bright Size Life); ka punuar gjerëzisht me bashkëpunëtorë të Coleman-it, të tillë si Charlie Haden, Dewey Redman, dhe Billy Higgins; dhe madje ka incizuar edhe një album me Coleman-in, Song X.

Loja e Metheny-it (si dhe toni i tij) shfaq po ashtu ndikim domethënës nga Jim Hall, Joe Diorio, Kenny Burrell, Joe Pass, John McLaughlin dhe të tjerë instrumentistë, tashmë klasikë të xhazit. Metheny citohet shpesh të ketë thënë se mund të përmendë mes ndikimeve domethënëse mbi stilin e tij instrumentistë të tjerë, po aq sa edhe kitaristë, duke dhënë si shembull artistë të tillë si Clifford Brown dhe John Coltrane. Ai ka deklaruar që albumi live i Miles Davis-it, Four & More, qe me një ndikim të pamasë në udhëtimin e tij me muzikën xhaz. Ai ka pranuar gjithashtu se ka qenë rëndshëm nën ndikim nga The Beatles, duke shkuar aq larg sa të thotë që gjithçka prej The Beatles ka pasur ndikim mbi të si muzikant. Megjithëkëtë, i ka kushtuar përherë vëmendje të madhe evoluimit të lojës në kitarë në zhanre të ndryshëm, dhe është i afërt me lojën e të tjerë kitaristëve të shquar, nga Eddie Van Halen te Leo Kottke.

Veçanërisht i ndikuar ka qenë nga muzika braziliane, qoftë nga tingëllimi xhaz në stil europian i bossa nova-s, ashtu edhe nga tingujt fort poliritmikë afro-brazilianë të verilindjes së vendit. Metheny, në fillimet e ’80-s, nën ECM-në realizoni 3 albume me vokalistin dhe perkusionistin brazilian Naná Vasconcelos. Gjithashtu jetoi në Brazil, nga fundi i viteve ’80 në fillimet e ’90-s, dhe ka dhënë shfaqje me disa muzikantë të atjeshëm, të tillë si Milton Nascimento dhe Toninho Horta. Luajti gjithashtu edhe me Antonio Carlos Jobim dhe për nder të tij, në një shfaqje për serinë Carnegie Hall Salutes The Jazz Masters: Verve 50th Anniversary, para vdekjes së Jobim-it.

Metheny ka deklaruar që luan muzikën që do t’i pëlqente të dëgjonte. Ai është fan i disa artistëve të muzikës pop, veçanërisht këngëtarësh/këngautorësh, në të cilët përfshihen The Beatles, James Taylor (me emrin e të cilit ai titulloi pjesën "James" te Offramp); Bruce Hornsby, Cheap Trick, Joni Mitchell, me të cilën luajti në turin live të albumit të saj Shadows and Light (1980, Asylum/ Elektra). Metheny-t i pëlqen gjithashtu muzika që bën Buckethead. Ai ka bashkëpunuar, sponsorizuar ose ndihmuar që të prodhojnë incizime tërheqëse këngëtarë dhe kompozitorë unikë nga anembanë bota, të tillë si Pedro Aznar (Argjentinë), David Bowie (Britani e Madhe), Silje Nergaard (Norvegji), Noa (Izrael), dhe Anna Maria Jopek (Poloni).[7]

Dy nga incizimet e Metheny-it, The Way Up dhe Orchestrion, nxjerrin në pah ndikimin e kompozitorit minimalist amerikan Steve Reich dhe në to përdoren figura ritmike të ngjashme me ato të ngritura mbi konceptin puls të Reich-utn. Kompozimi i Reich-ut Electric Counterpoint, një superpozim serialo-minimalist 11 kitarash dhe 2 basesh, për herë të parë është incizuar nga Metheny dhe bën pjesë te CD-ja Different Trains, hedhur në qarkullim nga Nonesuch Records më 1987.

Vëllezërit Metheny

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pati ka marrë pjesë në incizimin e disa prej CD-ve të vëllait të vet më të madh, trombetistit Mike Metheny, një muzikant i xhazit dhe trombetist në Kansas City, Missouri, mes të tjerash Day In - Night Out (1986) dhe tani më vonë Close Enough for Love (2001).[8][9]

Kitarat e përdorura nga Pat Metheny i gjeni të renditura më poshtë:

Gibson ES-175
Ibanez PM20 Signature Model
Ibanez PM100 Signature Model
Ibanez PM35
Roland GR-300
Pikasso guitar

  • Goins, Wayne E. (2001). Emotional Response to Music: Pat Metheny's Secret Story. Edwin Mellen Press. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Diskografia (jo e plotë)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Titull Datë qarkullimi Shtëpi diskografike Shënim
New Chautauqua prill 1979 ECM
80/81 1980
Secret Story 1992 Muzikë e kompozuar vetëm nga Metheny.
Zero Tolerance for Silence 1994 Geffen Records
Passaggio per il paradiso 1996 Kolonë zanore
A map of the world 1999 Kolonë zanore
One Quiet Night 13 maj 2003 Warner Bros. Records Për kitarë bariton solo
Orchestrion 26 maj 2010 Nonesuch Records
What's it all about 2011 Nonesuch Records

Me Pat Metheny Group

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Albume të incizuar në studio

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Titull Datë qarkullimi Shtëpi diskografike Vlerësime
Pat Metheny Group 1978 ECM
American Garage 1979 ECM
Offramp 1982 ECM Grammy Award për pjesën më të mirë në kategorinë Fuzion Xhaz
First Circle 1984 ECM Grammy Award për pjesën më të mirë në kategorinë Fuzion Xhaz
Still Life (Talking) 1987 Geffen Records Grammy Award për pjesën më të mirë në kategorinë Fuzion Xhaz
Letter from Home 1989 Geffen Records Grammy Award për pjesën më të mirë në kategorinë Fuzion Xhaz
We Live Here 1995 Geffen Records Grammy Award për albumin më të mirë në kategorinë Xhaz Bashkëkohor
Quartet 1996 Geffen Records
Imaginary Day 1997 Warner Bros. Grammy Award për albumin më të mirë në kategorinë Xhaz Bashkëkohor

Grammy Award për pjesën më të mirë në kategorinë rok instrumental

Speaking of Now 2002 Warner Bros. Grammy Award për albumin më të mirë në kategorinë Xhaz Bashkëkohor
The Way Up 2005 Nonesuch Records Grammy Award për albumin më të mirë në kategorinë Xhaz Bashkëkohor
Titull Datë qarkullimi Shtëpi diskografike Vlerësime
Travels 1983 ECM Grammy Award për pjesën më të mirë në kategorinë Fuzion Xhaz
The Road to You 1993 Geffen Records Grammy Award për albumin më të mirë në kategorinë Xhaz Bashkëkohor
Titull Datë qarkullimi Shtëpi diskografike
The Falcon and the Snowman 1985 EMI
Titull Datë qarkullimi Shtëpi diskografike
Passaggio per il paradiso 1998
Titull Datë qarkullimi Shtëpi diskografike
A map of the world 1999 Warner Bros
Titull Datë qarkullimi Shtëpi diskografike Shënim
I Can See Your House from Here 1993 Blue Note Records me John Scofield (shqëruar nga Steve Swallow dhe Bill Stewart)
Beyond the Missouri Sky (Short Stories) 1996 me Charlie Haden
Jim Hall & Pat Metheny 1999 me Jim Hall
Song X: Twentieth Anniversary 2005 Geffen Records me Ornette Coleman, që përmban 6 incizime të pabotuara gjetiu
Metheny/Mehldau 2006 Nonesuch Records men Brad Mehldau (shoqëruar nga Larry Grenadier dhe Jeff Ballard)
Metheny Mehldau Quartet 2007 Nonesuch Records me Brad Mehldau, Larry Grenadier, dhe Jeff Ballard
Metheny Mehldau Quartet 2008 Nonesuch Records me Brad Mehldau
Titull Datë qarkullimi Shtëpi diskografike Shënim
Bright Size Life 1975 ECM me Jaco Pastorius (në bas) dhe Bob Moses (në bateri)
Portrait of Jaco, the Early Years 1975 Holiday Park Records Intervistë dhe koncert me Jaco Pastorius dhe Bob Moses
As Falls Wichita, So Falls Wichita Falls 1981 Holiday Park Records me Lyle Mays dhe Naná Vasconcelos
Rejoicing 1983 me Charlie Haden (në bas) dhe Billy Higgins (në bateri)
Question and Answer 1990 Geffen Records me Dave Holland (në bas) dhe Roy Haynes (në bateri)
Trio 99 → 00 2000 me Larry Grenadier (në bas) dhe Bill Stewart (në bateri)
Trio → Live 2000 me Larry Grenadier (në bas) dhe Bill Stewart (në bateri)
Day Trip 2008 Nonesuch Records me Christian McBride (në bas) dhe Antonio Sanchez (në bateri)
Tokyo Day Trip 2008 Nonesuch Records men Antonio Sanchez dhe Christian McBride (live)

Vlerësimet e hershme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Chuck Lorre (producent i Two and a Half Men dhe The Big Bang Theory) e përmend Pat Metheny-n në të përjavshmen e vet 'vanity card'[10] (të paraqitur shkurtimisht pas falënderimeve të episodit Season 1 Episode 12 të The Big Bang Theory të titulluar "The Jerusalem Duality"). Me pak fjalë, Chuck Lorre ka qenë një kitarist profesional në moshën 22. E patën ftuar për një dëgjim për një kur kitare xhaz në Universitetin e Majamit, por egoja e tij u thërmua kur filloi të luante Pat Metheny. Chuck-u thotë se ky rast luajti rolin e vet në ndërrimin e fokusit të tij drejt televizionit.

Më 2011, Pat Metheny u votua si "Kitaristi i Vitit" në Anketimin e Lexuesve të Revistës DownBeat.

Më 2010, Pat Metheny u votua si "Kitaristi i Vitit" në Anketimin e Lexuesve të Revistës DownBeat.

Më 2009, u votua si "Kitaristi i Vitit" në Anketimin e Lexuesve të Revistës DownBeat.

Më 1995, Pat Metheny u vlerësua me çmimin Miles Davis nga Montreal International Jazz Festival.

Listë e çmimeve Grammy të akorduara Pat Metheny-it: [11]

Vit Kategori Titull Shënim
2012 Albumi Më i Mirë New Age What's It All About
Albumi Më i Mirë Instrumental Xhaz Pilgrimage Won as a Producer
2006 Albumi Më i Mirë Bashkëkohor Xhaz The Way Up Pat Metheny Group
2004 Albumi Më i Mirë New Age One Quiet Night
2003 Albumi Më i Mirë Bashkëkohor Xhaz Speaking of Now Pat Metheny Group
2001 Soloja Më e Mirë Instrumentale Xhaz "(Go) Get It" Fituar si Solist
2000 Ekzekutimi Më i Mirë Instrumental Xhaz Like Minds me Chick Corea, Dave Holland, Gary Burton, Roy Haynes
1999 Ekzekutimi Më i Mirë Instrumenta Rok "The Roots of Coincidence" Pat Metheny Group
1999 Ekzekutimi Më i Mirë Bashkëkohor Xhaz Imaginary Day Pat Metheny Group
1998 Ekzekutimi Më i Mirë Instrumental Xhaz Beyond the Missouri Sky (Short Stories) me Charlie Haden
1996 Ekzekutimi Më i Mirë Bashkëkohor Xhaz We Live Here Pat Metheny Goup
1994 Ekzekutimi Më i Mirë Bashkëkohor Xhaz The Road to You Pat Metheny Group
1993 Ekzekutimi Më i Mirë Bashkëkohor Xhaz Secret Story0
1991 Kompozimi Më i Mirë Instrumental "Change of Heart" Fituar si Kompozitor
1990 Ekzekutimi Më i Mirë Fuzion Xhaz Letter from Home Pat Metheny Group
1988 Ekzekutimi Më i Mirë Fuzion Xhaz Still Life (Talking) Pat Metheny Group
1985 Ekzekutimi Më i Mirë Fuzion Xhaz First Circle Pat Metheny Group
1984 Ekzekutimi Më i Mirë Fuzion Xhaz Travels Pat Metheny Group
1983 Ekzekutimi Më i Mirë Fuzion Xhaz Offramp Pat Metheny Group
  1. ^ Yanow, Scott (2010). "Pat Metheny". allmusic. Rovi Corporation. Marrë më 2010-04-06. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Past Winners Search". GRAMMY.com. Arkivuar nga origjinali më 20 maj 2013. Marrë më 7 nëntor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Taylor, B. Kimberly (1999). "Pat Metheny". Encyclopedia.com. HighBeam™ Research, Inc. Marrë më 2010-04-04. {{cite encyclopedia}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Chinen, Nate (2010-01-28). "19th-Century Concept, With a Few Upgrades". The New York Times. The New York Times Company. Marrë më 2010-04-05. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Ratliff, Ben (2005-02-25). "Pat Metheny: An Idealist Reconnects With His Mentors". The New York Times. The New York Times Company. Marrë më 2010-04-11. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Jeff Kitts; Brad Tolinski, red. (2002-10-01). Guitar World Presents 100 Greatest Guitarists of All Time. Milwaukee, Wisconsin: Hal Leonard Corporation. fq. 70. ISBN 978-0-634-04619-3. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ "Pat Metheny". Pat Metheny. Marrë më 2011-07-19. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ "Mike Metheny official website". Mikemetheny.com. 2011-06-07. Marrë më 2011-07-19. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ "Metheny Music Foundation, Inc". Methenymusicfoundation.org. 2010-07-23. Arkivuar nga origjinali më 21 korrik 2011. Marrë më 2011-07-19. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ "Chuck Lorre Vanity Card No. 202". Chucklorre.com. 2008-04-14. Marrë më 2011-07-19. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ "Past Winners Search". GRAMMY.com. Arkivuar nga origjinali më 20 maj 2013. Marrë më 25 shtator 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]