Vitamina B1
Vitamina B1 ose ndryshe me emrin kimik Tiamina, është një vitaminë e pangjyrë (apo e bardhë) me formulë kimike C12H17N4OS. Tretet në ujë dhe nuk mund të tretet në alkool. Tiaminet në qoftë se nxehen e humbin funksionin.
Kjo vitaminë është e pazëvendësueshme për funksionin e sistemit nervor. Në qoftë se për 14 ditë nuk merret vitamina B1 në organizëm, atëherë harxhohen për 50% rezervat e tij trupore.
Pak histori
RedaktoSipas anglezëve për herë të parë kjo vitaminë u zbulua nga Umetaro Suzuki në Japoni, pasi që ai studioi se si orizi i paqëruar i shëroi pacientët me sëmundjen Beri-Beri. Për këtë ai e emëroi atë acidi aberik.
Vetitë
Redakto- Masa molare: 337,27 g/mol
- Gjendja agregate: e fortë (e ngurtë)
- Pika e shkrirjes: 248 °C
- Tretet në ujë
Roli biologjik
RedaktoTiamin-pirofosfati ose vitamina B1 është një ko-enzimë e dehidrogjenazës së piruvatit, dehidrogjenazës së α-ketoglutaratit dhe e transketolazës. Kjo d.m.th se kjo vitaminë ka një rol të rëndësishëm në metabolizmin e karbohidrateve dhe yndyrave dhe më këtë në mirëmbajtjen e indit nervor, muskulit të zemrës dhe në transmetimin e përçimit të nervave.
Si difosfat i tiaminës (koenzimë i dekarboksilazave dhe i transketolazës) punon në eliminimin e karbohidrateve në tru dhe në muskuj. Po ashtu nga kjo vitaminë varen edhe kondicioni trupor dhe kujtesa. Forcon qarkullimin e gjakut dhe është e nevojshme për prodhimin e acidit të lukthit. Ka rëndësi në shndërrimin e karbohidrateve në yndyra dhe d.m.th në fitim e energjisë nga karbohidratet (pasi që është ko-enzimë e dehidrogjenazës së piruvatit, një kompleks enzimash, i cili e shndërron piruvatin në acetil-CoA).
Burimet e Vitaminës B1
RedaktoRadhitur sipas sasisë më të madhe të vitaminës B1 në prodhime ushqimore:
- Në 100 g fidanë gruri - 2 mg
- Në 100 g fasule të sojës - 1 mg
- Në 100 g mish derri - 0,90 mg
- Në 100 g bizele - 0,76 mg
- Në 100 g mish viçi - 0,60 mg
- Në 100 g fasule të bardha - 0,50 mg
- Në 100 g mish pule - 0,10 mg
- Në 100 g patate – 0,10mg
Po ashtu në sasi të ndryshme në:
- Majën e birrës
- Produkte drithërash
Nevoja trupore
RedaktoNevoja e vitaminës B1 për trupin e njeriut paraqitet si nevojë për shpërbërjen e hidro-karbonateve dhe alkoolit dhe sasia mesatare ditore për meshkuj është 1,3mg, për femra 1mg dhe për shtatzëne 1,2mg. Në rast të punës së rëndë fizike, zjarrmisë paraqitet nevoja e rritjes së dozës.
Shenja të zakonshme të mangësisë së vitaminës B1 janë kokë dhimbjet, mungesa e apetitit, dhimbjet e barkut, pengesa gjatë jashtë qitjes (kaps) dhe çrregullime në kujtesë dhe koncentrik.
Teprica të vitaminës B1 në trupin e njeriut mund të shkaktohen vetëm nëpërmjet marrjes së barnave. Shenjë e tepricës së vitaminës B1 është reagimi i ndjeshëm nervave.
Hipovitaminoza – Pasojat e mungesës së Vitaminës B1
RedaktoMungesa e përgjithshme e tiaminës në organizëm mund të dërgoj në probleme të panumërta duke përfshirë këtu degjenerimin e neuroneve dhe në raste të rënda mund të qoj deri te vdekja.
Mungesa e tiaminës mund të shkaktohet për shkak të ushqimit të mëngët, dietave me produkte të pasura me tiaminazë (enzimë që bënë shpërbërjen e kësaj vitamine) siç janë peshku i pazier i ujit të pastër, gaforret e freskëta të paziera, etj. Po ashtu dhe konsumimi i prodhimeve me përbërje të lartë të faktorëve kundër-tiaminik (çaji, kafeja, arrat “Areca catechu”) mund të shkaktoj mangësi vitaminoze.
Sindrome të njohura të shkaktuara nga mungesa e vitaminës B1 përfshijnë Sindromën Wernicke-Korsakoff dhe Beri-Berin, sëmundje këto që janë shumë të shpeshta te personat me shpërdorim dhe konsumim kronik të alkoolit.
Simptoma të hipovitaminozës
Redakto- Pengesa të metabolizmit të karbohidrateve dhe të sistemit nervor
- Depresione dhe tensionim
- Lodhja, humbja e apetitit, dobësi koncentrimi, atrofia e muskujve
- Pagjakësia - Anemia
- Dhimbje koke të shpeshtuara
- Pengesa në kujtesë, hutim
- Dështimi i punës së zemrës
- Edeme, shtypje e ulët e gjakut
- Frymëmarrje e shkurtuar
- Prodhimi i ulur i antitrupave gjatë infeksioneve
- Muskujt e dobësuar (sidomos ata të pulpës së këmbës)
- Sëmundja: Beri-Beri
Beri-Beri
RedaktoKjo sëmundje u paraqit kur njerëzit filluan të bëjnë fërkimin e orizit duke ja larguar kështu lëvoren e pasur me vitamina. Në Evropë ajo u bë prezente, kur mielli u blua aq imtë sa që u zhduk fidani i pasur me vitamina i grurit dhe kështu nuk mund të merrej më kjo vitaminë nëpërmes të bukës.
Po ashtu çdo shijim i sheqerit industrial gjatë tretjes së tij harxhon shumë vitaminë B1, fakt që edhe më shumë mund të keqësoj mungesën e kësaj vitamine.
Beri-Beri paraqitet shpesh në vendet e Azisë lindore dhe në Japoni, ku orizi është prodhimi kryesor i ushqimit. Po ashtu edhe në vendet e pazhvilluara është ende shumë e shpeshtë. Në vendet industriale e gjejmë këtë sëmundje në të shumtën e rasteve si pasojë të alkoolizmit ose ushqimit të gabuar.
Simptomat e Beri-Berit janë: pengesat neurologjike, atrofia e muskujve, insuficienca e zemrës.
Sëmundjet gjenetike
RedaktoSëmundjet gjenetike të transportit të Vitaminës B1 janë të rralla por shumë serioze. Mund të shkaktohen si pasojë e mutacionit autozomal recesiv në gjenin SLC19A2, që bënë kodimin e një proteine transporti me afinitet të lartë të tiaminës. Këto sëmundje përfshijnë anemi megaloblastike me sëmundje të sheqerit (diabetes mellitus) dhe pengesa në sistemin sensoro-neuronal.
Hipervitaminoza - Pasojat e mbi dozimit
RedaktoTe dozat mbi 200 mg reagojnë p.sh nervat me ndjeshmëri të madhe ndaj ngacmimeve nervore.
Rastet e vetme të dozimit të tepruar të vitaminës B1 kanë ndodhur me rastin e injeksionit intravenoz të kësaj vitamine. Këto raste mund të rezultojnë deri në reaksione trupore të rënda alergjike anafilaktike.
Ky artikull ka të bëj me shëndetin dhe mjekësinë prandaj ju lutemi ti kushtoni vëmendje Udhëzimit rreth artikujve të mjekësisë! Mos aplikoni përmbajtjen e artikullit në ju ose në ndonjë person pa konsultimin e mjekut! |