Kongresi i Lushnjes
Ky 10 shkurt 2010 nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s.(10 shkurt 2010) Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Kongresi i Lushnjes ose zyrtarisht Mbledhja Kombiare Lushje i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash ne krye ishte Aqif Tapalloi, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.
Komisioni Nismëtarë i Kongresit të Lushnjes
RedaktoAnëtarët e Komisionit Nismëtarë të Kongresit të Lushnjes
- Besim Nuri
- Ferit Vokopola
- Sheh Ibrahim Karbunara
- Taullah Sinani
- Emin Vokopola
- Llazar Bozo
- Nebi Sefa
- Qemal Mullai
- Zija Mullai
- Mustafa Vokopola
- Eshref Frasheri
- Jonuz Sefa
- Bajram Haxhiu
- Skender Pojani
- Kadri Jenisheri
- Teki Libohova
- Filip Papajani
- Abedin Nepravishta
- Jakov Bozo
- Andrea Papaj
- Qerim Arapi
- Rasim Hoxha
- Arif Kurti
- Muntar Luarasi
- Reshat (Hysni) Shazivari
- Abdyl Aziz
- Hasan Islami Like
- Hamit Xheka
Delegatët në Kongresin e Lushnjes
Redakto- Prefektura Durrës: Abdi bej Toptani, Irfan Ohri, Mytesim Këlliçi, Rexhep Jella, Shezivar Alltuni, Xhaferr Ypi.
- Malësia e Gjakovës: Hasan Batusha, Xhemal bej Bushati.
- Prefektura Dibër: Ahmet Zogu, Dine Dema, Dine Nasuh Maqellara, Ramiz Daçi.
- Prefektura Shkodër: Ejup Sabri Bushati, Hoxha Kadri, Mati Logoreci, Ndoc Çoba, Rexhep Shala, Xhemal Naibi.
- Prefektura Elbasan: Aqif pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Asllan Shahini, Filip Papajani, Kasem Sejdini, Qazim Dyrmishi, Sali Ceka.
- Prefektura Korçë: Beqir Rusi, Eshref Frashëri, Ferid Frashëri, Gjokë Ndini Gusho, Idhomen Kosturi, Koço Kota, Sali Butka, Selaudin Blloshmi.
- Prefektura Berat: Bektash Cakrani, Hysen Nikolica, Iliaz Vrioni, Kamber Belishova, Llambi Goxhomani, Llazar Bozo, Spiro Popa, Sheh Ibrahim Karbunara.
- Prefektura Vlorë: Dhimitër Qypi, Myqerem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Ymer Ali Radhima.
- Prefektura Gjirokastër: Ali Këlcyra, Ali Kumbaro, Arshi Shehu, Dervish Seit Grosha, Kasem Radovicka, Kiço Koçi, Rasim Babameto, Shezai Çomo, Spiro Kosova, Veli Harshova.
- Diaspora: Sotir Peçi.
Mbajtja e Kongresit
RedaktoKongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga, nga 21 deri më 31 janar te vitit 1920. Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga reziku i coptimit të Shqipërisë. Delegatëve i uroi mirëseardhjen në Kongres Ferit Vokopola që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshem i asaj kohe Aqif Pashë Elbasani. Aqif Pasha ju përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur keshtu ceremonin e hapjes së Kongresit. Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani. Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga iniciatorët e mbajtjes së atij kongresi. Abdyl Ypin e kishin vrarë njerëzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së asaj mbledhje, me qëllim që të frikësonin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.
Mbas këtyre fjalimeve, me vendim unanim nga të gjithë delegatët u vendos që t'i dërgohej një telegram ngushëllimi familjes së Abdyl Ypit dhe pas formulimit të atij telegrami, u mbyllën punimet e asaj dite për të filluar të nesërmen më 30 janar. Mbledhja e tretë që u mbajt atë ditë, vendosi mbas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të, pakt i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si në situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Nga kjo analizë u nxuarr si konkluzion se ajo qeveri kishte dalë dhe kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu ajo qeveri kishte penguar mbledhjen e Senatit që ishte vendosur në Durrës dhe me administrimin e saj të keq, e kishte futur vendin në një anarki të madhe e kishte çuar në krijimin e një situate të acaruar politike. Nisur nga këto, ajo qeveri ishte përpjekur me çdo kusht për ta penguar mbajtjen e Kongresit të Lushnjes.
Zgjidhet senati e qeveria
RedaktoPër këtë arsye, kongresi vendosi unanimisht rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e njëkohësisht zgjodhi imzot Luigj Bumçin, Mehmet Konicën dhe Dr. Turtullin, si përfaqësues legjitimë të popullit shqiptar, në delegacionin e Konferencës së Paqes në Paris. Në mbledhjen e katërt që u mbajt më 30 janar, kongresi zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Lartë, imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Dr. Turtullin. Pas kësaj u zgjodh dhe përbërja e qeverisë së re, e dalë nga ai kongres e cila kryesohej nga kryeministri Sulejman Delvina. Pas Delvinës, në atë qevri u zgjodhën dhe Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria, Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi, Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafëve.
Në mbledhjen e pestë që u mbajt më 31 janar pasdite, kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920-të, kongresi u dha fund punimeve të tij, duke vendosur Tiranën, për kryeqytet të Shqipërisë.
Qeveria e Durrësit, kundër Kongresit
RedaktoMenjëherë pas përfundimit të kongresit në Lushnjë, po atë pasdreke të 31 janarit, Ahmet Zogu që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore nga qyteti i Lushnjes, me anë të së cilës i bënte të ditur popullit shqiptar arsyet për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe u shpjegonte atyre vendimet që mori ajo mbledhje historike, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin. Gjatë gjithë punimeve të kongresit, ra në sy temperamenti i ndezur i Ahmet Zogut, që i bëri të gjithë delegatët të fitonin një admirim ndaj tij dhe ta zgjidhnin me votim unanim në postin delikat të Ministrit të Brendshëm, ndonëse ai nuk i kishte mbushur akoma 25 vjeç. Gjatë kohës që mbahej Kongresi i Lushnjes, qeveria e Durrësit u përpoq me të gjitha mënyrat dhe mjetet për të ndaluar zbatimin e vendimeve të kongresit, duke u mbështetur dhe në forcën e ushtrisë italiane që ishte akoma në Shqipëri.
Po kështu, mbajtja e Kongresit të Lushnjes, konsiderohej prej tyre si një lëvizje aventurierësh dhe ajo u përgatit që të sulmonte forcat qeveritare dhe delegatët që do të vendoseshin me seli në Tiranë, e cila ishte caktuar nga kongresi si kryeqytet i Shqipërisë. Nisur nga presionet e qeverisë së Durrësit, e cila po bënte çmos për mosnjohjen e vendimeve të Kongresit të Lushnjes, shumë nga e delegatët Tiranës, Elbasanit, Kavajës e Shijakut, duke kuptuar se do të sulmoheshin me armë nga forcat italiane të nxitura nga qeveria e Durrësit, shfaqën mendimin që të qëndronin dhe për disa kohë në qytetin e Lushnjes.
Zogu: Të njihet Kongresi
RedaktoMendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjes deri sa të stabilizohej disi situata anarkike e krijuar nga qeveria e Durrësit, i kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Mes të tjerash ai ju tha delegatëve: "Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë, ju po të doni rrini këtu". Kështu, siç dhe ishte parashikuar, gjatë udhëtimit të tij për në Tiranë, Ahmet Zogut dhe njerëzve që e shoqëronin, ju pre rruga në Kavajë nga ana e forcave italiane që ishin të armatosura me topa e mitraloza. Një oficer italian ju doli përpara Zogut e njerëzve të tij dhe ju dha urdhër atyre që të ndërprisnin marshimin. Ahmet Zogu e kundërshtoi hapur oficerin italian duke i thënë: "Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjes". Pas një debati të ashpër që desh kaloi në konflikt të armatosur, oficeri italian u tërhoq së bashku me gjithë forcat që kishte nën komandë dhe i hapi rrugën Ahmet Zogut që të hynte në qytetin e Kavajës.
Në atë qytet, Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, qëndroi për disa ditë, duke emëruar nënprefektin dhe disa nëpunës të vegjël të administratës vendore. Hyrja e Ahmet Zogut në Kavajë, e shqetësoi shumë qeverinë e Durrësit, e cila duke e kuptuar që me anë të forcës nuk mund ta ndalonte dot Zogun, filloi të përdorte dredhitë, duke i dërguar atij një delegacion për të hyrë në bisedime. Delegacioni që u dërgua nga ana e qeverisë së Durrësit, i propozoi Ahmet Zogut, që të transferohej kryeqyteti për në Vlorë dhe të thërritej një kongres tjetër kombëtar atje, për të biseduar lidhur me situatën në vend e masat që duhet të merreshin për stabilizimin e situatës në Shqipëri. Mbi këtë propozim, që ju servir Zogut, qeveria e Durrësit, vinte kusht dhe kërkonte anullimin e të gjitha vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Pas pak orësh nga vajtja e delegacionit të Durrësit për bisedime me Ahmet Zogun, ai delegacion u kthye shpejt në qytet, pasi Zogu refuzoi kategorikisht, që të bisedonte rreth atyre propozimeve.
Shqipëria ishte njohur si shtet i pavarur, më 1913, por gjysma e saj kish mbetur jashtë kufijve, përbrenda ziente anarkia më e plotë: Kundër Qeverise së Ismail Qemalit në Vlore, mbinte Qeveri e Esad Toptanit në Durrës. Aventurierët e brendshëm menduan se gjeten shesh të bëjnë rrëmujë, ndërsa armiqtë e jashtëm, të pangopur me ato pjesë që kishin rrëmbyer, u sulën mbi shtetin e ri gjysmak me qëllim që ta copëtonin fare: Grekët e shkretuan Toskërinë me zjarr e me hekur, serbët shkelën Shqipërinë e Veriut, malazezët hynë në Shkodër mbas një qëndrese heroike të atij qyteti. Patriotët shqiptarë nuk dinin se nga t’i jepnin. Forcat e errësirës përbrenda ishin të shumta dhe armiqtë e jashtëm ishin tepër të fortë për atë popull të vogël. Një princ gjerman që u dërgua si mbret i Shqipërisë prej fuqive te mëdha, zbriti në Durrës në mars të vitit 1914 dhe u shtrëngua të largohej në shtator të atij viti. Lëvizja e Rebelëve në Shqipërinë e Mesme dhe vërsuljet e grekëve në Shqipërinë e jugut po e bënin të pamundur organizimin e një shteti shqiptar. Në ketë kohë plasi Lufta e Parë Botërore dhe Shqipëria u pushtua prej ushtrive ndërluftuese austro-hungareze, italiane dhe frënge.
Me mbarimin e Luftës Botërore, problemi shqiptar dilte m’i koklavitur akoma: Traktati i fshehte i Londrës (i nënshkruar me 1915) i premtonte Italisë Vlorën me qarkun e saj dhe një fare protektorati mbi Shqipërinë e mesme, mbasi te merrnin greket Shqipërinë e jugut dhe serbo-malazezet atë te veriut. Në baze te këtij traktati, Italia vazhdonte te mbante te pushtuar Vlorën dhe ca krahina te tjera shqiptare duke përkrahur njëkohësisht një Qeveri kukull në Durrës, me anë të së cilës donte te siguronte protektoratin mbi Shqipërinë e mesme. Në vazhdim të kësaj vije politike, nënshkroi me Greqinë, më 1919, marrëveshjen Tittoni-Venizelos, e cila ia njihte Greqisë kërkesat mbi Shqipërinë e jugut me kusht që edhe Greqia ta njihte sundimin italian mbi pjesën tjetër të Shqipërisë. Natyrisht, edhe Jugosllavia, që kish dalë nga lufta si fëmijë e përkëdhelur e fuqive te mëdha, nuk do te mbetej me duar thatë, do të shqyente edhe ajo një copë nga veriu duke përfshirë ndoshta edhe Shkodrën.
Këto ishin planet e jashtme mbi Shqipërinë dhe Konferenca e Paqes, që u mblodh në Paris me 1919, kërkonte ta zbërthente problemin shqiptar në mbështetje te këtyre planeve. Gjendja dukej fort e dëshpëruar, shpresat dukeshin te humbura. Shqipëria s’kish asnjë përkrahje te jashtme përveç zërit te fuqishëm të Presidentit Wilson te Amerikës. Presidenti Wilson ishte një njeri idealist që besonte në drejtësinë, në përparimin moral te njerëzisë dhe parimet për te cilat vendi i tij kish hyre në lufte u mundua t’i mbronte gjer në fund. Presidenti Wilson ish një nga te rrallët burra shteti që atë çka flasin e kane megjithe mend dhe që e përdorin gjuhen, jo për sofizma e dredhira, por për te shpallur te vërtetën. Mire po ç’mund te bënte Wilsoni sikur shqiptaret te mos ishin te zote te lëviznin vete? Amerika s’mund te dërgonte ushtri në Evrope për te siguruar pavarësinë e Shqipërisë. “Duhet te shpresoni në veten tuaj”, iu ish përgjigjur ambasadori i Amerikës, në Paris, disa patrioteve shqiptare që kishin vajtur ta shihnin dhe që i thane se te tera shpresat i kishin varur tek Amerika.
Cila ishte gjendja e Shqipërisë përbrenda? Një rrëmuje, një kaos ku se merrte vesh i pari të dytin. Italia mbante të shkelur ushtarakisht një pjesë të vendit dhe përkrahte një Qeveri kukull, e cila dërgonte delegacione në Konferencën e Paqes. Jugosllavët ishin në Dibër dhe herë-herë nuk përtonin të zbrisnin më poshtë. Grekët nga jugu futnin fite dhe bënin ngacmime. Shqiptarët përbrenda s’dinin nga të mbroheshin më parë as dinin nga të faleshin. Shqiptarët e kolonive dërgonin në Konferencën e Paqes delegacione, që vinin shpesh herë në kundërshtim me atë të Qeverisë së Durrësit. Esad Toptani ndodhej në Paris, në qendër të intrigave që thurnin armiqtë e Shqipërisë. Si mund të dilej nga kjo gjendje e turbullt? Si mund të vihej një rregull në mes të këtij kaosi? Në këto rrethana u mblodh Kongresi i Lushnjes, më 21 janar 1920, si një shfaqje e vullnetit kombëtar, si një akt trimërie në mes të dëshpërimit. Përfaqësuesit e krahinave, që u mblodhën në Lushnjë nga të gjitha anët e Shqipërisë, ishin të vendosur të bënin bashkimin kombëtar, t’i jepnin fund anarkisë, të ndërtonin një shtet shqiptar të përqendruar mbi forcat e tij dhe të pavarur. Kjo ishte e vetmja rrugë shpëtimi. Por kjo u prishte planet atyre që vepronin si agjentët e të huajve dhe që kishin varur shpresat e ambicieve të tyre tek të huajt. Prandaj disa anëtarë të Qeverisë së Durrësit shtinë e vranë Abdyl Ypin që ishte një nga iniciatorët e Kongresit.
Megjithatë, Kongresi nuk u tund as nga këto kërcënime as nga vështirësitë e gjendjes. U shpall si një Kuvend kombëtar i plotfuqishëm, i tregoi botës se Shqipëria ish e pavarur dhe e pandashme dhe iu përvesh punës për organizimin e shtetit shqiptar. Intrigat dhe kanosjet e fqinjëve e kishin neveritur popullin aq shume sa që ky e pa Kongresin si një forcë shpëtimi dhe e brohoriti me tërë entuziazmin nacionalist të asaj kohe. Duke iu dale kundër intrigave të jashtme dhe planeve të copëtimit që bëheshin në Konferencën e Paqes, Kongresi i Lushnjes nisi të veprojë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane: Hartoi statutin e shtetit shqiptar me një Këshillë të Naltë në krye, zgjodhi Tiranën për kryeqytet dhe i dha vendit një Qeveri të ligjshme, e cila iu vu me energji organizimit të administratës, të xhandarmerisë, të shkollave dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë. Në pak kohe, Qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjes, u njoh prej të gjithë shqiptareve dhe u formua kështu një qendër rreth së cilës mund të mblidheshin energjitë e kombit.
Ndërhyrjet e huaja vazhdonin akoma: Italia mbante të pushtuar ushtarakisht Vlorën dhe qarkun e saj gjer në Tepelenë; jugosllavët mbanin Dibrën dhe nganjëherë patën zbritur deri në shkallët e Tiranës; grekët vazhdonin këngën e vjetër për Korçën dhe Gjirokastrën. Por tani kish të paktën një qendër shqiptare që mund të kanalizonte përpjekjet e kombit. Kongresi i Lushnjes kish ngjallur shpresa dhe iu kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete. Aq sa, pa marrë parasysh përpjesëtimin e forcave, rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj e tërë Shqipëria e jugut u ngritën me arme në dorë kundër ushtrisë italiane, të cilën brenda pak muajve e shtrënguan të tërhiqet dhe të lëshojë Vlorën. Disa përpjekje kundër serbëve në veri, tregonin të njëjtin vullnet lirie dhe pavarësie. U duk edhe njëherë se shqiptarët e bënë fora.
Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik pavarësinë e shtetit shqiptar. Pse në qoftë se gjer atëherë kish pasur për Shqipërinë një rrezik copëtimi, ky vinte më fort nga ndërhyrjet e Italisë se sa nga fqinjët ballkanas. Këta të fundit mund të ngulnin thonjtë mbi tokat shqiptare vetëm atëherë kur Italia ta mohonte pavarësinë ose tërësinë tokësore të Shqipërisë duke e përmbysur ajo vetë ekuilibrin në Adriatik dhe në Ballkan. Sikur Italia të vendoste njëherë e përgjithmonë se një shtet shqiptar i pavarur është i nevojshëm për sigurimin e saj dhe në vend të një politike imperialiste copëtimi ose kolonizimi, të kërkonte me kombin shqiptar marrëdhënie miqësore me pajtim interesash të të dy palëve, fqinjët e Ballkanit i binin kavallit kot. Ajo që ka venë në rrezik ekzistencën e Shqipërisë që prej traktatit të fshehtë të Londrës (1915) dhe gjer në ardhjen e komunistëve në fuqi, nuk kanë qenë aq fort fqinjët ballkanas se sa qëndrimi i lëkundshëm i politikës italiane. Ndërrimet e herë mbas hershme të politikës italiane kundrejt vendit tonë i kanë sjellë Shqipërisë dëm më shumë ndoshta nga barbarizmat e fqinjëve ballkanase (Por sigurisht Italia e sotme e ka kuptuar këtë të vërtetë). Pra, me tërheqjen e ushtrive italiane nga Vlora, më 1920, Shqipëria mbetej automatikisht shtet i pavarur. Dhe si i tillë u pranua në gjirin e Lidhjes së Kombeve që në shtator të atij viti. Një vit më vonë, më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, i hodhi poshtë kërkesat e grekëve mbi Korçën dhe Gjirokastrën dhe Lidhja e Kombeve nisi të vëzhgoi lëvizjet e jugosllavëve.