Kasëm Trebeshina
Kasëm Trebeshina (Berat, 8 gusht 1926 - Ankara, 6 nëntor 2017) ka qenë veprimtar i Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pas Çlirimit qe ushtarak, aktor teatri, shkrimtar. Për qëndrimet e tij kundër dogmave letrare të realizmit socialist u bë ndër disidentët e parë shqiptarë.[1][2] U dënua disa herë me burgim e internime dhe vepra e tij u ndalua, duke mundur t'i botohej vetëm pas viteve '90 në Prishtinë me ndërmjetësimin e Martin Camajt.
Kasëm Trebeshina |
---|
Duke lëvruar gati të gjithë zhanret e letërsisë, Trebeshina ka lënë rreth mbi njëqind dorëshkrime.[3] Studjues të letërsisë shqipe janë shprehur se Trebeshina qe nismëtar i surrealizmit në letërsinë shqipe.[4][5]
Biografia
RedaktoU lind në lagjen "Murad Çelebi" të Beratit në shtëpinë e familjes të së ëmës, djali i dytë i Hysen Vinokashit dhe Hatixhe Sanxhaktarit. Sipas Trebeshinës, të parët e tij ishin me prejardhje nga Saruhani: Durasi me të birin Balin, u ngulitën si timarlinj në Vinokash të kazasë së Përmetit më 1417 pasi ishin përzier në luftërat civile të kohës së Sulltan Bajazitit I dhe Sulltan Mehmetit I.[6]
Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, fitoi bursë dhe nisi të mesmen e kohës në Normalen e Elbasanit. Gjatë kohës së shkollës, llagëpin e deriatëhershëm Vinokashi ia zëvendësuan me Trebeshina. Shkollimi i ndërpritet më 8 prill 1942, kur u arrestua si pjesëmarrës i një celule komuniste të Grupit të Shkodrës.[7]
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë partizan me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, herë komandant e herë zv/komisar i Brigadës së XII. Ka luftuar në zonën Fier-Mallakastër edhe kundër Ballit Kombëtar, ndërsa më vonë veproi në Vlorë,[8] Himarë, Sarandë.[9] Pas vendosjes së regjimit komunist, një dokument i 1945 për organigramën e Drejtorisë së Mbrojtjes të Popullit e tregon si njërin prej drejtuesve të Seksionit të I-rë.[10] Më 1945-1946 shërbeu po ashtu si ndihmësgjyqtar i Bilbil Klosit.[11] Ndërsa Trebeshina në vëllimin e tij me kujtime Dafinat e thara pohon se ishte emëruar, por nuk shërbeu asnjëherë si oficer sigurimi, emërimin e refuzoi dhe vijoi si ushtar i përkohshëm.[12] Në dosjen përpunuese nga Sigurimi, pas luftës qe toger në ushtri.[13] I caktuar kursant pranë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare pati shumë fërkime me ushtarakët jugosllavë, e degdisën në Gjirokastër dhe më 8 janar 1948 e dëbuan nga ushtria për qëndrimet e tij të përsëritura.[12]
Shkoi me studime në Institutin e Teatrit "Ostrovski" të Leningradit, por nuk i përfundoi.[14] Sipas romanit Shkrimtari të Mehmet Myftiut, ku autori personifikon Trebeshinën me Hysen Shkretën, miku i tij e la shkollën, pasi lexoi deri në fund veprat e Bajronit.[15] Në fillim të viteve '50 punoi si aktor në Teatrin Popullor të Tiranës.[11][16]
Botimi i tij i parë është në vitin 1953, kur botoi dramën historike Kruja e çliruar.[17] Pas një viti, më 1954, Trebeshina për: “qëndrim nihilist kundrejt letërsisë së realizmit socialist”,[17] së bashku me Mark Ndojën dhe Myftiun u përjashtuan më 24 shkurt 1954 nga Lidhja e Shkrimtarëve.[18] Po atë vit ai u dënua me 3 vjet burgim Në 1954 Trebeshina dënohet me 3 vjet burg me akuzën për agjitacion dhe propagande, arsye për të cilën në revistën "Nëntori" të atij viti shkruhej:[17]
“Partia jonë zbuloi dhe demaskoi pikëpamjet antipatriotike në letërsi të Kasëm Trebeshinës me shokë, të cilët mohonin në mënyrë të hapët realizimet dhe sukseset e letërsisë sonë të re, fetishizonin të kaluarën, shtrembëronin vlerat edukuese të klasikëve, nënçmonin rëndësinë revolucionare të realizmit socialist dhe të letërsisë sovjetike dhe përpiqeshin në këtë mënyrë të godisnin në këtë mënyrë fuqinë krijuese të popullit tonë, mundësitë dhe besimin e tij në ndërtimin e të sotmes heroike dhe të së ardhmes së lumtur. Këto pikëpamje janë shprehur edhe në veprat e tyre, disa prej të cilave janë të ngjeshura me frymë kozmopolitizmi, subjektivizmi të theksuar, megalomanie dhe narcizizmi.”
Paragrafi i parafundit në dosjen e tij:[19]
I pandehuri Kasëm Trebeshina ka shkruar një seri veprash, në shumicën e tyre, gjërat janë parë me pesimizëm, nihilizëm, jashtë realitetit dhe kundër frymës së partisë, kundër realizmit socialist.
Kreu vetëm 11 muaj burgim dhe u lirua më 1955.[11] Tezes së tij, nënës së Fiqrete Shehut, i kishte premtuar Enver Hoxha se do t'ia amnistonin nipin. Iu ofruan disa punë që nuk kishin lidhje me artin, por nuk pranoi. Më vonë filloi punë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, atëherë tek rruga e Elbasanit; punonte në një gazetë, ku kushti i parë ishte që të mos merrte pjesë në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale, si edhe në informacionet politike. Kësodore mund të merrte pjesë vetëm në mbledhjet e drejtorisë për organizimin e punës. Më pas hoqi dorë nga anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe nga pjesëmarrje të tjera në jetën shoqërore.[20] Porsa iu hap mundësia që t'ia botonin veprën Artani dhe Minja, prej këmbënguljes që t'ia botonin pa recensë dhe përshkrimit të "të pasurve të fshatit", anëtarët e Lidhjes i ngritën akuzën si deviator dhe firmosën që t'ia çonin emrin në Komisionin e dëbim-internimeve.
Më 18 maj 1962 u arrestua dhe dënua me 5 vjet internim të izoluar, që mbaronte më 18 maj 1967. Nga kampi i Zvërnecit, gushtin e 1963 e shtrojnë me forcë në psikiatrinë e Vlorës dhe pas disa letra Byrosë Politike, ia shndërruan dënimin në gjysmëinternim si mësues në Gramsh,[21] ku dha letërsi në shkollën 11 vjeçare.[22] Më 24 mars 1965 i ndërpritet dënimi për arsye shëndetësore. Qershorin e atij viti, Mehmet Shehu dënoi në mbledhjen e Pleniumit të XV të Komitetit Qendror romanin Shkrimtari të Myftiut ku sipas kryeministrit të kohës "heroi nuk është tjetër veçse Kasëm Trebeshina, shok i ngushtë mendimi i autorit, element antiparti i vendosur kundër pushtetit popullor, antisocialist...".[23] Nisi punë në Bibliotekë Kombëtare,[24] ndërsa më 1969 nis punë si përkthyes dhe më 1976 e zbresin në rangun e korrektorit.[23]
Në vendimin e Gjykatës së Lartë në prill të 1981, për dënimin tij merren parasysh “ekspertiza” e veprave të tij në dorëshkrim (rreth 120), të cilat i morën gjatë arrestimit në shtëpinë e tij, këto recenca shkruajnë që dorëshkrimet “pasqyrojnë rryma të ndryshme ultrareaksionare që karakterizojnë letërsinë dhe artin dekadent” në to u “gjenden pikëpamje armiqësore”.[17]
Pas rënies së komunizmit u proklamua si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t'ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist. Në një intervistë, përkthyesit e tij në anglisht dhe gjermanisht kanë përmendur se Trebeshina ka qenë 17 vjet në burg.[14][25] Trebeshina vetë në një intervistë ka pohuar se ka bërë trembëdhjetë vjet burg.[26]
Ndërroi jetë në Ankara, pranë së bijës, më 6 nëntor 2017.[27]
Vepra
RedaktoNga veprat e shumta të Trebeshinës, në kohën e regjimit u botuan Artani dhe Min'ja ose hijet e fundit të maleve, një përkthim anonim i pjesëve teatrore të Lorkës,[14] një sërë poezish të tij të botuara në gazetën "Letrari i ri" si dhe një sërë dramash Heronjtë në ’52 dhe Shtrojnë malet në ’53. Gjatë vitit 1953, në “Letërsia jonë”, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në numrin 3, 5, 6, etj, u botuan nga Trebeshina, një sërë poezish, dhe në nr. 10 u botua një dramë me 5 akte, Kruja e çliruar. Botimet e krijimeve të tij në periodikët kryesorë letrarë të kohës, (prozë dhe poezi), tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar prodhimtar që ka nisur të njihet në radhët e shkrimtarëve dhe lexuesve.[28]
Tri prej pjesëve të tij prozaike u redaktuan nga Ardian Klosi në vëllimin Stina e stinëve, botuar në Prishtinë më 1991 kur dhe nisën t'i botoheshin pjesa më e madhe e veprave.[14] Botuesi i tij, Abdullah Zeneli ka deklaruar se ka qenë Martin Camaj që e ka mundësuar kontaktin mes shkrimtarit dhe botuesit.[29] Më 1992 do të botohej e Legjenda e asaj që iku në Tiranë. Trebeshina ka shkruar edhe romanin epope me 5 vëllime Kënga shqiptare. Vëllimi i I-rë i romanit, sipas shënimeve të shkrimtarit, përfundoi në vitin 1951, ndërsa i fundit më 1966. Sipas studjueses Mullahi, duke u kthyer pas në kohë dhe duke analizuar zhvillimin letrar të kësaj periudhe, bindemi plotësisht se vepra është shkruar në ato dhjetëvjeçar, sepse mban brenda vetes prirjen letrare të saj.[28]
Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së tij është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.[14] Përkthyesi i Trebeshinës në gjermanisht, Hans Joachim Lanksch e sheh si një shkrimtar të papërkrahur dhe gjerësisht të panjohur,[30] ndërkohë që lexues të veprës së tij në gjermanisht kanë parë afëri me Eugène Ionesco.[25] Tregimi Pse nuk u bë qytet fshati ynë nga viti 1994 është i përfshirë në antologjinë “Maja e çelur”, tekst për shkollat e mesme, hartuar nga Gjergj Zheji (fq. 187-191).[31] Më 2005 fitoi çmimin "Buzuku" në Kosovë me romanin Tregtari i skeletëve.[29]
Dramaturgjia
RedaktoPas viteve ’90, filloj dhe botimi e vënia në skenë e dramave të Trebeshinës. Dramaturgjia e Trebeshinës, duke u nisur nga struktura formale dhe tematike, shfaq elementë të qartë ngjashmërie me dramën e absurdit dhe paradoksit zhvilluar në Evropë veçanërisht në vitet 50-60 të shekullit XX me përfaqësues Beketin, Joneskon, Pirandelon, por që nuk njiheshin në Shqipëri gjer vonë. Është një nga themeluesit e dramës moderne shqiptare, duke u nisur jo vetëm për nga dallueshmëria me traditën shqiptare, por edhe krahasuar me përfaqësuesit kryesorë të dramës moderne botërore. Ndonëse mbetet akoma i parealizuar amaneti i shkrimtarit, botimi i plotë i dorëshkrimeve të tij, numri i madh i veprave kanë peshën e tyre në traditën e letrave shqipe.[28]
Polemika
RedaktoPas rënies së regjimit komunist, albanologu Elsie i botoi një promemorie e vitit 1953 që pandehet se Trebeshina ia kishte nisur Enver Hoxhës, duke e paraqitur si disident.[14][32] Hulumtimet kanë bërë të ditur se promemoriet janë dy dhe jo një, por asnjëra e vitit 1953 siç u divulgua.[19] Botimi i saj solli reagime, deri aty sa e quajtën fabrikim për të dëmtuar imazhin e Kadaresë,[18][33] duke u projektuar mediatikisht si dikotomi.[34] Trebeshina vetë i cilësoi ismailkadaretë si sindromë, dhe sipas tij nëse Dimri i madh i jepej gjimnazistëve do të duhej t'u jepej edhe Mein Kampf. Mirëpo ai kritikonte po ashtu si Shuteriqin ashtu edhe Agollin,[32] duke qenë i mendimit se "Letërsia e shërbesës nuk është letërsi."[3]
Tituj të veprave
RedaktoProzë
Redakto- Stina e Stinëve, 1991;
- Odin Mondvalsen, 1991;
- Fshati mbi shtatë kodrina, 1991;
- Koha tani, vendi këtu, 1992;
- Qesari niset për luftë, 1993;
- Rruga e Golgotës, 1993, me parathënie nga Atë Zef Pllumi;
- Mekami: melodi turke, 1994;
- Hijet e shekujve, 1996;
- Nata para apokalipsit, 1998;
- Ku bie Iliria, 2000;
- Kënga Shqiptare, 1-5, 2001;
- Më përtej kohërave, 2004;
- Tregtari i skeleteve, 2006;
- Shtigjet e shekujve, 2007;
- Një ditë në natën pa fund (Dafinat e thara), 2016;
Dramë
Redakto- Kruja e çliruar, 1953;
- Legjenda e asaj që iku, 1992;
- Historia e atyre që s'janë, 1994;
- Ëndrra dhe hije, 1996;
- Drama, 2006;
Poezi
Redakto- Artani dhe Min'ja, 1961;
- Lirika dhe satira, 1994;
- Polimnia dhe Melpomena, 1-2, 2006;
- Këngë për Kosovën, 2007;
Të pabotuara
Redakto- Planetiada, (roman në 8 vëllime);
Referime
Redakto- ^ Shkrimtari i përplasjeve të mëdha, Prishtinë: Koha Ditore, 11 nëntor 2017.
- ^ Perikli Jorgoni (maj 1992). Intervistuar nga Ursula Ruston. "Dead poets translation society". Index on Censorship (në anglisht). 21 (9): 17–18.
- ^ a b Dragoj, Nuri (9 nëntor 2017). "Ikën shkrimtari që nuk pajtua kurrë me të keqen. A do të botohet vepra e Trebeshinës, pas vdekjes?". vizion.com.al.
- ^ Mullahi, Anila (15 gusht 2016). "Vendi i Trebeshinës në letërsinë shqipe". balkanweb.com. Marrë më 1 prill 2021.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Gjoka, Behar (13 gusht 2013). "Përplasja Kadare-Trebeshina s'ka lidhje me veprat letrare". Shqiptarja.com. Intervistuar nga Dhurata Hamzai. Marrë më 1 prill 2021.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Dragoj 2007, p. 28. "Sipas Trebeshinës, të parët e tij, Durasi dhe djali i tij Bali, ishin turq nga Sarukani. Njerëz të përzier në luftërat civile të epokës së Bajazit Jillderëmit dhe të Mehmetit të Parë. Ata u internuan në Shqipëri më 1417-ën dhe u vendosën në Vinokash të Kazasë së Përmetit. Në këtë vis të bukur të Jugut, u ndien të plotë dhe u përshtatën aq mirë, sa për pesëqind vjet u ndryshuan në mënyrë të atillë, saqë asnjë nuk mund t’i dallonje më nga shqiptarët e tjerë."
- ^ Trebeshina, Kasëm (2016). "Një ditë në natën pa fund" (Dafinat e thara). Prishtinë: Buzuku. fq. 49–53. ISBN 978-9951-08-240-2.
- ^ Trebeshina, Kasëm (22 nëntor 2016) [2007]. Intervistuar nga Kastriot Kotoni. "Ju tregoj për Luftën Civile dhe Ballin Kombëtar". Shekulli. Arkivuar nga origjinali më 30 shtator 2022. Marrë më 30 shtator 2022.
- ^ Demo, Elsa (8 gusht 2012). "Kasëm Trebeshina, mbi mistikën personale". Mapo. Arkivuar nga origjinali më 3 shkurt 2022. Marrë më 27 shkurt 2018.
- ^ Dervishi, Kastriot (22 gusht 2017). "Drejtuesit e parë të shërbimit sekret komunist në vitin 1945". njekomb.com. Marrë më 26 shkurt 2018.[lidhje e vdekur]
- ^ a b c Dervishi, Kastriot (24 mars 2009). "Bilbil Klosi, gjykatësi komunist që dha shekuj burg dhe u mori jetën qindra antikomunistëve: krimet e komunizmit". 55 (73): 2–3.
- ^ a b Trebeshina 2016, pp. 204-207.
- ^ "Biografi e Kasëm Trebeshinës në dosjen 1338 e Sigurimit të Shtetit". radiandradi.com. 31 tetor 2018.
- ^ a b c d e f Elsie, Robert. "Kasem Trebeshina". Robert Elsie: Albanian Literature (në anglisht). Marrë më 7 nëntor 2017.
- ^ Alimemaj, Jola (23 nëntor 2017). "Trebeshina, gjyqi që iu bë në Lidhjen e Shkrimtarëve". shekulli.com.al. Arkivuar nga origjinali më 30 shtator 2022. Marrë më 30 shtator 2022.
- ^ Agolli, Esma (26 qershor 2015). "Trebeshina më ndaloi në rrugë para arrestimit, ja ç'më tha". Shqiptarja.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b c d Mullahi, Anila (21 nëntor 2017). "Dosja gjyqësore e Trebeshinës u akuzua për pikëpamje armiqësore". gazetashqiptare.al.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b Bejko 2007, fq. 27-28.
- ^ a b Gjoza, Roland (2017). "Dinjiteti i Kasëm Trebeshinës". radiandradi.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Dragoj 2007, pp. 207-209.
- ^ Dragoj 2007, pp. 220-224.
- ^ Bejko 2007, fq 83.
- ^ a b Dragoj 2007, pp. 227-234.
- ^ "Biografi e Kasëm Trebeshinës në dosjen 1338 e Sigurimit të Shtetit". radiandradi.com. 31 tetor 2018.
- ^ a b Lanksch, Hans Joachim (8 gusht 2016) [1996]. "Kasëm Trebeshina në kërkim të së tashmes së përjetshme". shekulli.com.al. Arkivuar nga origjinali më 30 shtator 2022. Marrë më 30 shtator 2022.
- ^ Lanksch, Hans-Joachim (20 maj 1994). "Intervistë-bisedë me shkrim me Kasëm Trebeshinën". Marrë më 26 shkurt 2018.
- ^ Hamzai, Dhurata (7 nëntor 2017). "Ndërron jetë në moshën 92-vjeçare Kasëm Trebeshina". Marrë më 7 nëntor 2017.[lidhje e vdekur]
- ^ a b c Mullahi, Anila (21 nëntor 2017). "Dosja gjyqësore e Trebeshinës u akuzua për pikëpamje armiqësore". Gazeta shqiptare.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b Zeneli, Abdullah (9 gusht 2016). "Kur Martin Camaj më propozoi veprën e Trebeshinës". Mapo (Intervistë). Intervistuar nga Violeta Murati.
- ^ Guma, Arlinda (20 shtator 2017). "Bisedë me Hans Joachim Lanksch". politiko.al.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Bejko 2007, pp. 27-28.
- ^ a b Shehu, Xhevdet (8 nëntor 2017). "Lamtumirë "noprani" dhe rebeli Trebeshina," (PDF). Koha (në dw) (3218): 18.
{{cite journal}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) - ^ Apolloni, Ag (25 maj 2015). "Disidenca e Don Kishotit". panorama.com.al. Marrë më 7 nëntor 2017.
- ^ "Kasëm Trebeshina, shkrimtari me jetën e vet dhe veprën e rivalit". politiko.al. 26 nëntor 2017.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
Bibliografia
Redakto- Bejko, Sadik (2007). Disidentët e rremë. Tiranë: 55. ISBN 9789994356195.
- Dragoj, Nuri (2007). Trebeshina: Një jetë para gjyqit. Tiranë: Globus-R. ISBN 978-99943-53-45-3.