Ismet Aliu (1957, Balaj i Ferizajt)ka kryer studimet e larta -Letërsi dhe Gjuhë Shqipe-në Universitetin e Prishtinës (Fakulteti Filologjik) Ka botuar këta tituj: "Rrathë në hapësirë", "Rilindja" 1987 "Babai i pasjellshëm", "Rilindja" 1989 "Vrasja e indiferencës", "Rilindja" 1990 "Ëndrra me krahë dylli", "Buzuku" 2007 Ka në proces botimi romanin "Muri i qelqtë" nga konkursi letrar i "Buzukut" Ismet Aliu është prezentuar në panoramën poetike (antologji)"Rrjedh e lë gjurmë" (Bota e re,1984) të studentëve të Universitetit të Prishtinës,poashtu është prezentuar në librin "Katërmbëdhjetë autorë" 1986, libër i djegur me vendim të gjyqit. Autori për krijimtarinë e tij është shpërblyer shumëherë. Ndër shpërblimet më të çmuara është ai i SHSHK për tregim dhe ai i FLAKËS SË JANARIT. Gjatë viteve 93/94 ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i revistes ilegale "Zgjimi" Ka në dorëshkrim disa vepra poezi e prozë. Është anëtar i LSHK ______________________________

Fragment recensioni për librin

"Ëndrra me krahë dylli" E gjithë poezia e librit "Ëndrra me krahëdylli" të Ismet Aliut ndërtohet përmes një kontrasti të madh: ndeshjes rreth makrokozmosit dhe mikrokozmosit njerëzor. Në atë hapësirë të dublifikuar, ku pafundësia e jashtme kontraston në pafundësinë e brendshme të hapësirës së universit dhe të njeriut, është një urith, një rrezik permanent që i kërcënohet qenies, ekzistencës,madje edhe vetë kuptimit të jetës. Është verbësia, errësira e universit dhe verbësia e njeriut që inkarnohet në një qenie të nëntokës, që gjithçka e bart nga gremina...Asgjëja. Së këndejmi, në poezinë e Ismet Aliut kemi një të folur të dendësuar, një reduksion të masës së lëndës gjuhësore, një tkurrje që përmbledh një energji të refleksit. Prandaj, për këtë poezi mund të themi se është e kuptimeve të dendura, e një refleksioni që fije pas fijes së kuptimit, figurë pas figure dhe nocion pas nocioni krijon një teksturë polikromatike.

                                                                     Ramadan MUSLI